Carlo Ançeloti u prit krahëhapur te Bayern i Mynihut, për të zëvendësuar Pep Guardiolën, i cili në 3 vitet që drejtoi në Gjermani nuk arriti t’i bindte të gjithë. 3 emra të mëdhenj si Robert Lewnadowski, Franck Ribery dhe braziliani Dante, tashmë pjesë e Nice në Francë, kritikuan trajnerin spanjoll për mënyrën se si ai e stërviti Bayern-in gjatë këtyre tre viteve. Por, nëse shumica e lojtarëve te kampionët e Gjermanisë janë të kënaqur me italianin në stol, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për mesfushorin me tipare sulmuese Douglas Costa. Braziliani me Ançelotin në drejtimin e Bayern-it, ka humbur protagonizmin që kishte në skuadër një vit më parë, kur në pankinë qëndronte Guardiola.
As goli që i dha kualifikimin Bayern-it në Kupën e Gjermanisë ndaj Wolfsburgut nuk i ka mjaftuar Douglas Costës për të qenë i lumtur si më parë. Me Guardiolën te Bayerni, 26-vjeçari sezonin e kaluar u aktivizua në 27 ndeshje në Bundesligë, duke spikatur me lojërat dhe golat e tij. Por me ardhjen e Ançelotit gjërat nuk kanë shkuar mirë për Douglas Costën. Në këtë kampionat ish- lojtari i Shakthar Donetsk numëron vetëm 14 paraqitje në total dhe 8 si titullar edhe pse nuk duhet harruar fakti që për një periudhë të shkurtër, Costa ishte i dëmtuar.
Me Ançelotin kanë rigjetur veten dy emra me peshë si Ribery dhe Robben, sidomos francezi, i cili ka patur shumë minuta në këmbë, duke ulur në stol Costën. 3 gola gjithsesi braziliani i ka realizuar në këtë sezon të Bundesligës, por me Guardiolën, Costa ishte edhe një makinë asistesh, pasi në edicionin e kaluar dha 18 pasime për gol, diçka që nuk po arrin të realizojë dot këtë sezon. Mbetet për t’u parë sesa do të besojë Ançelotti te 26-vjeçari në ndeshjet e ardhshme, por nëse nuk luan rregullisht, Douglas Costa mund t’i japë lamtumirën Bayernit në verë për t’u transferuar te Manchester City, aty ku Pep Guardiola do ta priste krahëhapur.