Përgjysmohet dënimi i Perisiç

Inter i kënaqur përgjysmë. Tensioni që krijoi Derbi i Italisë ka marrë një përgjigje përfundimtare edhe nga organet disiplinore të futbollit në Gadishullin Apenin. Disiplina dënoi fillimisht me nga dy ndeshje pezullim Mauro Icardin dhe Ivan Perisiç, por apeli ka ndryshuar diçka edhe pse jo plotësisht në pritshmëritë e klubit zikaltër. Kështu, sulmuesi kroat do të vuajë vetëm një javë pezullim dhe ai do të mungojë vetëm në sfidën e kësaj fundjave ndaj Empolit në “San Siro” dhe më pas do të vihet në dispozicion të trajnerit Stefano Pioli.
Ndërkohë, Gjykata Sportive e Apelit nuk e ka pranuar apelimin e klubit për argjentinasin Maur Icardi, i cili iu drejtua me fjalë të rënda arbitrit Rizzoli në përfundim të ndeshjes. Icardi është gjobitur edhe me 10 mijë euro për gjestin e tij dhe në këtë mënyrë nuk do të jetë i gatshëm për sfidat ndaj Empolit dhe transfertën e Bolognas. Kapiteni do të zbresë në fushë për ndeshjen delikate kundër Romës që do të luhet në “San Siro” në datën 26 shkurt dhe mund të rezultojë vendimtare për sezonin e skuadrës zikaltër që u mund në transfertën e “Juventus Stadium” pas 7 fitoreve rresht në kampionat, duke u larguar nga zona Champions League.

Artikulli paraprakNainggolan: “E urrej Juventusin”
Artikulli tjetërArsenali, 18 mln euro për Hart