Tragjedi në Fier, vret të dashurën dhe më pas veten

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme në Fier. Një i ri ka vrarë të dashurën dhe më pas edhe veten brenda në makinë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:40 në aksin rrugor Fier-Hoxharë, në afërsi të fshatit Shën Pjetër. Sipas policisë, në automjetin tip “Fuoristradë” me targë AA 939 OY, janë gjetur të vdekur 2 persona. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes u bë identifikimi i viktimave, të cilët janë Drini Derveni, 32 vjeç, banues në Fier dhe Ermira Arapi, 29 vjeçe, banuese në fshatin Ngurrëz, Lushnjë.
Gjithashtu nga këqyrja e plotë e vendit të ngjarjes dallohet qartë, se 32-vjeçari pasi ka qëlluar me armë 29-vjeçaren, ka vrarë veten. Në dorën e Drini Dervenit është gjetur një pistoletë e tipit TT, e mbushur. Sipas policisë nga të gjitha provat e gjetura në vendngjarje, Drini Derveni pasi ka vrarë Ermira Arapin, ka qëlluar veten e tij. Dyshohet se në këtë rast kemi të bëjmë me një krim pasioni. Të dy personat e vdekur ishin të martuar dhe 32-vjeçari nga Fieri kishte edhe fëmijë.
Për momentin, nuk dihen ende shkaqet që e shtynë babain e dy fëmijëve, banues në lagjen “11 Janari” të Fierit të vriste fillimisht gruan me të cilën kishte një lidhje jashtëmartesore e më pas t’i jepte fund jetës, por ka dyshime të forta, se ndërprerja e lidhjes mund të jetë një nga arsyet e krimit. Mësohet se Ermira Arapi Dushi, me origjinë nga Lushnja, ishte e martuar dhe nënë e një vajze dhe jetonte bashkë me familjen në fshatin Fermë Çlirim të Fierit.
Grupi hetimor ende nuk i ka zbardhur shkaqet e këtij krimi të rëndë. Janë pyetur familjarët e dy të rinjve për të arritur tek motivi, i cili çoi dy të rinjtë drejt kësaj tragjedie. Bëhet e ditur se, gruaja banonte në Fermë Çlirim, ndërsa punonte si shitëse në një dyqan perdesh në qendër të Fierit, ndërsa burri banonte në lagjen “11 Janari” në Fier. Grupi hetimor në bashkëpunin me Prokurorinë  po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Artikulli paraprakBasha me të rinjtë: Beteja që na thërret më 18 shkurt
Artikulli tjetërTirana në duart e bandave, grabitet me armë një supermarket