Unioni i Gazetarëve shqiptarë ka reaguar me anë të kryetarit Aleksandër Çipa për skandalin që po ndodh në Durrës, me punimet nën Torrën Veneciane. Gërmimet kanë nxjerrë në dritë mure dhe ndërtime antike e mesjetare, të cilat rrezikohen të zhduken si pasojë e një projekti gjigant të shumëkritikuar të Bashkisë së Durrësit. UGSH ka kërkuar nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe kryebashkiaku Vangjush Dako që të reagojnë menjëherë për “krimin barabar që kanë firmosur”, shkruan “newsbomb”. Duke i konsideruar veprimet e dy zyrtarëve si antiligjore dhe antikombëtare, UGSH kërkon që të ndërhyhet me shpejtësi para se të jetë shumë vonë. “Unioni i Gazetarëve shqiptarë denoncon krimin barbar që po kryhet aktualisht mbi mjedisin arkeologjik pranë Torrës Veneciane në qytetin bregdetar të Durrësit. Unioni i Gazetarëve shqiptarë u bën thirrje gjithë mediave të vendit, gazetarëve dhe gjithë opinionit publik të reagojë fuqimisht në mbrojtje të pasurisë kombëtare arkeologjike në Durrës. Denoncojmë për këtë krim barbar përgjegjësat institucionalë dhe i drejtohem me emër ministres së Kulturës, zonjës Mirela Kumbaro dhe kryetarit të Bashkisë Durrës, zotit Vangjush Dako të ndërhyni sot, një orë e më parë për ta ndalur këtë barbari që keni firmosur. Nesër nuk do ju lënë qytetarët e këtij vendi dhe do të përballeni me ndëshkimin ligjor për një krim barbar antikombëtar dhe me pasoja mbi trashëgimninë arkeologjike të shqiptarëve. Unioni i Gazetarëve shqiptarë i fton gjithë gazetarët dhe intelektualët e këtij vendi, opinionin publik të bëhemi një trup i vetëm kundër këtij krimi barbar në Durrës. Nesër dita fillon me reagimin tonë në të gjitha format, për të shpëtuar pasurinë kombëtare kulturore shqiptare”, thuhet në reagimin e Unionit të Gazetarëve.
Kryesore
Continue to the categoryKrimi dhe paraja e pisët rrit me 15% çmimet e apartamenteve...
Faktorët kryesorë që do të ndikojnë te shtrenjtimi i çmimeve mbeten rritja e kostos nga pagat e punëtorëve, shtrenjtimi i materialeve të ndërtimit dhe...