Me këtë paketë 1 miliard euroshe, “Rilindja” duket se ka hipur në “makinën e kohës” e kërkon të fluturojë drejt së ardhmes. Dhe nëse do të fluturonim edhe ne me këtë makinë që udhëton në kohë, do të vërenim se ka disa rreziqe, të cilat qeveria e sotme përpiqet ta shmangin nga diskutimi
Tashmë është bërë e qartë se kjo mazhorancë, këtë vit do të kërkojë një mandat të dytë qeverisës te shqiptarët përmes një platforme ekonomike, të mbështetur tek një derivat i koncesionit. Së fundmi, ajo ka zbardhur projektin 1 miliard eurosh që do të investohet nga biznesi, por që qeveria i garanton kthimin e investimeve te disa vepra publike (lexo në brendësi). Motivin e ka shpjeguar me pamundësinë që ka me një apo disa buxhete vjetore, për të realizuar ato shërbime dhe të mira për të cilat do të duheshin shumë, shumë vite.
Me këtë paketë 1 miliard euroshe, “Rilindja” duket se ka hipur në “makinën e kohës” e kërkon të fluturojë drejt së ardhmes. Dhe nëse do të fluturonim edhe ne me këtë makinë që udhëton në kohë, do të vërenim se ka disa rreziqe, të cilat qeveria e sotme përpiqet ta shmangin nga diskutimi.
Ministri i Financave është kujdesur disa herë të thotë se, duke tërhequr 1 miliard euro nga biznesi, borxhi publik nuk do të rritet. Ai ka të drejtë, sepse kjo shumë nuk figuron në zërat e buxhetit, përderisa nuk tërhiqet nga qeveria, por hidhet në ekonomi drejtpërsëdrejti nga biznesi. Por, në momentin që ai do të shfaqet si detyrim dhe qeveria thotë se paratë e investuara do t’i kthejë në kohë, atëherë ky është një borxh. Pra është çështje kontabilizimi, që ngjan më shumë si teknikë financiare, por në fakt borxhi 1 miliard euro, i cili është i fshehur për momentin, shfaqet në të ardhmen, kur fillon e shlyhet nga arka e përbashkët e taksapaguesve shqiptarë.
Kjo situatë e pritshme është e ngjashme me atë që i ndodhi qeverisjes në mandatin e fundit të demokratëve. Ata nxitën biznesin të avanconte në punime të veprave publike me paratë e tyre, përtej shpenzimeve të përcaktuara buxhetore e të kontraktuara, në çdo fillimviti, derisa akumuluan një borxh rreth 500 milionë euro, duke futur në krizë likuiditeti biznesin dhe buxhetin, aq sa borxhi kërceu mbi 75% të prodhimit të brendshëm bruto (PBB).
Vetë vlera 1 miliard euro sot përfaqëson gati 10% të PPB-së. Konsumi i tij brenda një viti apo brenda një mandati qeverisës, kapërcen kufijtë e një mazhorance dhe kërkon një vendimmarrje më të gjerë, për të pasur edhe një kontroll më të gjerë të tij. Mirëpo kjo paketë investimesh të presupozuara, duke qenë ekstra buxhetore dhe duke qenë se bëhet efektive vetëm me vendime qeverie, shmang kontrollin nga Parlamenti ashtu siç edhe bëhet me çdo buxhet shteti, duke qenë kështu më i rrezikuar.
Qeveria thotë se, për të mos kërcënuar stabilitetin e buxhetit, pagesat nuk do t’i kalojnë 5% të të ardhurave fiskale të një viti. Por nëse do të krahasonim ritmin e rritjes së të ardhurave në çdo vit, vërehet se çdo qeveri, edhe në vitin më të mirë të saj, dhe të ekonomisë, ka mundur të sigurojë mesatarisht 2 miliardë euro. Praktikisht për ta shlyer këtë detyrim, sipas formulës së qeverisë, do të duhen 20 vjet. I vetmi tregues që mund të shkurtojë kohën është rritja e PPB-së, por taksat e tatimet zënë sot rreth 25% të Produktit Kombëtar dhe do të duhet një rritje ekonomike aq e madhe sa të mbështesin pa sforco të mëdha shlyerjen e detyrimit për bizneset që do të investojnë në këtë paketë 1 miliard euro, në një kohë të shkurtër.
Nga ana tjetër, meqenëse ecuria e kthimit të këtij investimi të bërë nga privati garantohet indirekt nga qeveria dhe angazhon detyrimisht të ardhura buxhetore të varura nga performanca fiskale, kjo do të ngushtonte hapësirat për stimuj fiskalë në të ardhmen. Sot, ekonomia është në pikën e ringritjes në treguesit e saj makroekonomikë. Ndaj mund të përfitohej pa ndonjë ndërhyrje kaq “stimuluese” për të pritur një moment tjetër më delikat apo të një kapërcimi më cilësor, kur reformat strukturore të kenë dhënë një ekonomi më konkurruese.
Por duke mos pasur asnjë angazhim politik që reformat do të kryhen dhe se do të ketë mbështetje buxhetore për burimet e rritjes ekonomike, atëherë ky stimul do të jetë i konsumuar thjesht për çështje elektorale që premton disa shkolla, kopshte apo rrugë, por nga ana tjetër e kanë mjaft të diskutueshme leverdishmërinë në raport me borxhin e marrë dhe kohën e shlyerjes.
Nga ana tjetër, kjo paketë ka një problem të madh moral. Pasi, ky model i ri qeverisje i ekonomisë i shtrin efektet në më shumë se një mandat. Apriori rilindësit e konsiderojnë veten të përhershëm në pushtet, ndaj edhe mund t’i shkojë kjo paketë, megjithëse ajo është e vlefshme për t’i kërkuar publikut votat vetëm për një mandat të dytë, që zgjat jo më shumë se katër vjet. Ndaj projekti i Rilindjes duket si një fluturim me “makinën e kohës”, duke injoruar rreziqet dhe fuqinë e publikut që zgjedh sot se si duhet të qeveriset, ndërkohë që votuesit e 20 viteve më pas, ende nuk kanë “lindur”.
Monitor.al