Milani kinez!

Me ndryshimin e pronësisë nga Silvio Berlusconi te investitorët kinezë, Milani pritet të kthehet fuqishëm në merkato, pasi vetëm gjatë verës besohet se do të investohen rreth 120 milionë euro. Kjo shifër do të shpenzohet për t’i dhuruar Montelës një qendërsulmues të aftë për të garantuar 25 gola në sezon, por edhe për një mbrojtës me eksperiencë, që jep garanci. Për sulmin do të tentohet me të gjitha mënyrat ylli i Borussia së Dortmundit, Pierre-Emeric Aubameyang, i cili e mendon të mbyllur ciklin në Bundesligë në përfundim të sezonit aktual. Pavarësisht se 27-vjeçari ëndërron Realin e Madridit, ai nuk e ka hedhur poshtë një rikthim të mundshëm te kuqezinjtë. Sulmuesi me origjinë nga Gaboni është rritur pikërisht në akademinë e Milanit dhe për t’i bindur drejtuesit e Dortmundit kuqezinjtë duhen të shpenzojnë për kartonin e tij të paktën gjysmën e buxhetit që është parashikuar për merkaton e verës, më saktë nga 60 deri 70 milionë euro.
Pjesë e mbetur nga 120 milionë euro do t’i shërbejë “Djallit” për objektiva të tillë si De Vrij, Luiz Gustavo ose Dahoud. Sidomos holandezi u pëlqen shumë drejtuesve të Milanit, por vetë 25-vjeçari preferon transferimin në Premier League, pa harruar faktin se Lottito nuk e lëshon pa 35 milionë euro. Mirëpo presidenti i Lazios mund të hyjë në bisedime me Milanin e ri kinez edhe për Keitan, i destinuar për t’u larguar nga Roma. Gjatë verës nga kuqezinjtë mund të largohen Deulofeu dhe Ocampos, të dy të mbërritur në Milanello në formë huazimi, kështu që ndërhyrja në merkato për të përforcuar të gjithë repartet është emergjente.
Karlos Baka i ka kërkuar publikisht falje trajnerit Vinçenco Montela për mënyrën se si u soll gjatë zëvendësimit në ndeshje kundër Sampdorias. “Nuk kam asnjë lloj problemi me trajnerin, vetëm më zëvendësoi dhe u zemërova, pasi po mundeshim nga një penallti e Muriel dhe shpresoja të qëndroja në fushë për të ndihmuar ekipin. Ishte një vendim i tij dhe unë isha ende i nxehur prej ndeshjes dhe ndodhi… Më pas gjithçka shkoi mirë dhe sot fola me të. E di që kam gabuar, por gjithçka është fryt i asaj që bëra në fushë dhe se më zëvendësoi. Duhet të respektoj zgjedhjet e tij dhe të vazhdoj të punoj”, ishte ndjesa e Bakas.
Kolumbiani ka idetë e qarta se si mund të shlyejë gabimin edhe para shokëve të skuadrës. “Kam folur me shokët dhe do t’u paguaj një darkë të gjithëve. E kam vendosur pasi jemi një skuadër e bashkuar”, tha ai.
Milani është zyrtarisht në krizë. Kuqezinjtë prekën fundin me disfatën 1-0 në shtëpi ndaj Sampdorias. Duelin në “San Siro” e vendosi Luis Muriel, i cili në minutën e 70-të shndërroi në gol një penallti të shkaktuar nga një ndërhyrje nga prapa e Paletës ndaj Kualjarelës në zonë. Milani e mbylli takimin me një lojtar më pak, pasi Hoze Sosa u përjashtua me dy kartonë të verdhë në pesë minutat e fundit.
Ekipi vendas qan një shtyllë të goditur nga Deulofeu dhe një mundësi të mirë të humbur nga Lapadula. Sampdoria ngjitet e dhjeta, me 30 pikë në 23 ndeshje.

Artikulli paraprakKlubet franceze rekord shpenzimesh në Evropë
Artikulli tjetërÇmenduria e ish-yllit të Inter e Ajax