8 ton drogë me kamion nga porti i Durrësit futet në Itali

Plot 8 ton drogë ka kaluar nga Porti i Durrësit drejt Italisë. Kjo sasi e madhe droge është sekuestruar nga Guarda di Finanza italiane në Ankona. Mediat italiane shkruajnë se, droga ishte nisur nga Porti i Durrësit me një kamion dhe ka kaluar drejt Italisë pa asnjë problem për policinë shqiptare.
“Një sekuestrim rekord në territorin venecian nga ana e Guardia di Finanaza-s. Në pranga ka përfunduar një 38-vjeçar, i cili ka zbritur bashkë me kamionin nga një traget nga Porti i Ankonës. Por udhëtimi i tij në një kamion me rimorkio duhet të ishte më i gjatë. Destinacioni përfundimtar i një qytetari maqedonas 38-vjeçar nuk dihet ende. Dihet ndërkohë se është bllokuar nga agjentët e Guardia di Finanza në ngarjen e një makine në lindje të Venecias, ose gjithsesi në territorin e lagunës, ndërsa pak para se rimorkioja e mjetit, siç raportojnë edhe gazetat lokale, ishte lënë në zonat e afërta të shërbimit”, shkruanin dje mediat italiane.  Me shumë mundësi i arrestuari kishte patur ndjesinë se jo gjithçka do të shkonte në mënyrën e duhur, ose thjesht marrëveshjet me marrësin e drogës ishte që rimorkioja duhet të rrinte aty në pritje për t’u marrë. E vërteta është që planet kanë dështuar falë ndërhyrjes së Flakëve të Verdha të Ankonës, me ndihmën e kolegëve të Venecias. Ushtria kishte mbajtur nën vëzhgim kamionin qëkurse ai kishte hyrë në Itali, duke pasur mundësinë për ta lokalizuar në kohë reale.
“Ndjekja ka zgjatur disa orë. Sapo Beretat e Gjelbërta kanë hipur në bordin e rimorkios, kanë gjetur ngarkesën e jashtëligjshme, e cila do t’u kishte sjellë shuma të mëdha trafikantëve të drogës. Ajo ishte e fshehur në dy pllaka polisteroli, pa asnjë mbulim të ngarkesës. Në përfundim të hetimeve, në mënyrë të pashmangshme, ata kanë marrë nën pranga për posedim droge 38-vjeçarin, i cili do të dalë në gjyq. Trageti përpara se të arrinte në Ankona është nisur nga Shqipëria”, shkruan “Venezia Today”.
Gjatë ditëve të fundit është rritur së tepërmi intensiteti i trafikut të drogës drejt Italisë. Para dy ditësh, Guardia di Finanza sekuestroi 1.6 ton marijuanë në Monopoli. Sipas mediave italiane, gomonia e ngarkuar me drogë, udhëtonte drejt brigjeve italiane dhe u sinjalizua nga një patrullë detare të Guardia di Finanza të Tarantos. Njësitë Speciale Roan të Barit u vunë në dijeni dhe u drejtuan tek objektivi, i cili u arrit pas një ndjekjeje të shkurtër që përfundoi rreth 20 milje detare larg bregut.
Në bordin e gomones ishin dy shqiptarë të moshës 51 dhe 25 vjeç, të cilët u arrestuan me akuzën e mbajtjes së drogës dhe trafikut ndërkombëtar të drogës. Marijuana e sekuestruar një pjesë e së cilës u gjet dhe në det ishte ndarë në 79 pako të përmasave të ndryshme me një peshë totale prej 1.598 kilogramë.
Mediat italiane, duke cituar Guardia di Finanza-n, bënin të ditur se mjeti lundrues kishte dy motorë me nga 225 kuaj fuqi. Në momentin që trafikantët pikasën anijet e Guardia di Finanza-n, ata e hodhën një sasi të drogës në det. Nëse do të hidhej në treg, kjo sasi droge kapte vlerën e 15 milionë eurove.
Të mërkurën që kaloi, policia italiane sekuestroi 1 ton marijuanë në Bari. Sipas mediave italiane, operacioni u krye nga Reparti Operativ Aerodetar i Guardia di Finanza i Barit me mbështetjen e avionit të agjencisë “Frontex”. Mediat shkruanin se, droga ishte futur nga Shqipëria në Itali. Para një jave u sekuestruan 2 ton drogë të nisur nga Shqipëria nga autoritetet italiane dhe greke. Ngarkesa e lëndës narkotike po transportohej me skaf, kur u zbulua nga rojet kufitare greke dhe ato italiane.

R.POLISI

Artikulli paraprakBerisha: Ediskobari thyen çdo rekord! Nis 8 ton drogë për Bienalen e Venecias
Artikulli tjetërTë rinjtë e Durrësit me Bashën: Nuk do lejojmë zgjedhje me krimin