Sekretet e Juves

Me fitoren 0-2 ndaj Cagliarit në Sant Elia, Juventusi hodhi një tjetër hap të sigurtë drejt fitimit të titullit të 6-të kampion radhazi, një rekord absolut ky për kampionatin italian. Kur mbeten edhe 14 javë deri në përfundim të sezonit, bardhezinjtë e Alegrit kryesojnë me 7 pikë avantazh ndaj Romës së vendit të dytë dhe 9 ndaj Napolit të vendit të tretë.
Askush nuk mund t’ia heqë dot nga duart këtë titull këtij Juventusi që në 2017-ën është vërtet i frikshëm. Ajo humbje ndaj Fiorentinës ishte thjesht një aksident, sepse piemontezët menjëherë pas asaj disfate kanë reaguar me 5 fitore radhazi në Serinë A. Por cilat janë sekretet e këtij Juventusi që për momentin nuk ka rivalë në kampionatin italian? Moduli i ri i lojës 4-2-3-1 i ka dhënë një tjetër dimension skuadrës, por kurrsesi nuk duhen harruar meritat një super Gonzalo Higuain dhe të një mbrojtjeje shumë solide. Fitorja 2-0 në fushën e Cagliarit e ka çuar në 5 numrin e ndeshjeve pa pësuar gol, një tregues i qartë ky se e gjithë skuadra ka gjetur ekuilibrin. Megjithatë, ai që qëndron mbi të gjithë të tjerët është Gonzalo Higuain autori i 8 golave në Serinë A gjatë vitit 2017.
Askush nuk ka shënuar më shumë se El Pipita në kampionatet kryesore të Europës në këtë vit të ri. Edinson Cavani kryegolashënuesi i Ligue 1 me 25 gola në total është ndalur në kuotën e 7 finalizimeve në 2017-ën, ndërsa Luis Suarez, shënuesi më i mirë i La Ligas nuk ka realizuar më tepër se 6 gola. Nëse edhe Paulo Dybala do të shënojë me të njëjtën frekuencë si sezonin e kaluar, ky Juventus mund të shkojë larg edhe në Champions League, sepse në Serinë A, me një Higuain në formë të tillë, titulli i 6-të kampion radhazi në Serinë A, mund të konsiderohet thjeshtë një formalitet për bardhezinjtë e Massimiliano Alegrit.
Me Gonzalo Higuain në fushë për Juven është gjithmonë e thjeshtë. Sulmuesi argjentinas realizoi të dy golat e fitores 0-2 në transfertë me Cagliarin, sukses që e mban po 7 pikë distancën me Romën e vendit të dytë. Në minutën e 37-të, El Pipita u nis në limitet e pozicionit jashtë loje, i asistuar nga Marchisio dhe përballë portierit bëri atë që di të bëjë më mirë, të çojë topin në rrjetë.
Në fillim të pjesës së dytë ishte Dybala që nxorri të lirë 29-vjeçarin, që falë instiktit të tij vrasës para portës, gjeti golin e dytë të mbrëmjes dhe të 18 në këtë sezon të Serisë A. Kartoni i Barellas në të 67-ën e bëri edhe më të thjeshtë fitoren e Juventusit, që edhe pse u luajti minutat e mbetura me një lojtar më shumë nuk harxhoi energji të kota për ta thelluar më tej rezultatin.
Fitore me përmbysje e Sampdorias në shtëpi ndaj Bolonjës. 3-1 përfundoi ky takim në “Luiggi Ferraris”, ku vendasit shpërthyen në 8 minutat e fundit të lojës. Në pjesën e parë, skuadra e Donadonit befasoi me golin e Dzemailit me një goditje të kalibruar nga jashtë zonës. Presioni i vazhdueshëm i të besuarve të Gianpaolos u shpërblye në minutën e 82-të me golin e Muriel nga pika e bardhë e penalltisë.
Ende pa mbyllur festën e golit të barazimit, Schick realizoi të dytin për vendasit pas një kundërsulmi të shpejtë. Dy minuta para përfundimit të kohës së rregullt, Mbaye në tentativë për të larguar topin, shënon në portën e tij.

Artikulli paraprakPSG, Aguero, Sanchez apo Martial për sulmin?
Artikulli tjetërTransferimi më i dështuar i historisë