Dosja e krimeve të Shullazit dhe bandës së tij peshon shumë. Kërcënime, tjetërsim pronash, tritol, vrasje dhe lidhje me krerët e qeverisë. Al Kapone, ai që plot një muaj më parë ambasadori amerikan e konsideroi si të paprekshmin, tani i ka punët keq.
Ushtari i krimeve të Ramës dhe Tahirit është në burg, ndërsa detajet e para të aktivitetit kriminal kanë nisur të dalin. Bëhet fjalë për vrasje, tritol, trafik droge, kërcënime dhe gjoba të shumta. Biznesi ende ndjehet i trembur dhe e ka të vështirë të besojë që të gjenden prokurorë dhe gjykatës në këtë sistem që të mund të dënojnë kreun e krimit të organizuar në Shqipëri, sikurse e konsideroi dje ambasadori amerikan.
Dosja është e rëndë dhe në të pritet të dalin disa nga krimet më monstruoze të këtij baroni të krimit të organizuar, i cili vepronte nën mbrojtjen e plotë të Policisë dhe ministrit. Bëhet fjalë për vrasje dhe gjoba. Zhdukje si aksidentale të trashëgimtarëve të pronave, që pronat e tyre të tjetërsohen. Familjarë deputetësh të përfshirë në këto krime monstruoze dhe që me kontrollin që kanë në media përpiqen që të zhvlerësojnë sa më shumë këtë provë force të sistemit dhe të shoqërisë.
Kë do të marrë me vete Shullazi? Kjo është pyetja që mundon Tahirin dhe Ramën. Kjo pritet të shihet gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme, por është fakt se pushteti ka rënë. Në fakt para drejtësisë nuk është Shullazi, por sozia e tij në krye të qeverisë.
Ky është gjyqi ndaj atij që e ngriti krimin gjatë këtyre tre viteve në sistem, që i zëvendësoi zyrat e shtetit me strofullat e kriminelëve më të rrezikshëm. Ky është gjyqi i Ramës dhe asaj perandorie që ai ka ngritur në këtë qeverisje. Nuk do të jetë e lehtë. Ky është vetëm fillimi. Emra të tjerë të krimit dhe politikës të përfshirë në krim do të dalin dhe nuk do të mund t’i shpëtojnë drejtësisë. Kjo është një luftë e shtetit ndaj krimit dhe në të cilën nëse do të kërkohet do të përfshihet edhe shoqëria. Ky vend nuk do të mund të mbetet më peng i një të çmenduri që mendonte se mund të përjetësonte pushtetin e tij përmes diktaturës së krimit.
Shqipëria ka nisur të çlirohet nga ky regjim kriminelësh. Dje ishte prova e parë e çlirimit të universiteteve nga kandidatura e Shullazit, tani në radhë që presin të çlirohen janë qeveria dhe mediat. Politika nuk mund të vazhdojë më të jetë një zgjatim i klaneve kriminale të pushtetit dhe as të jetë e nënshtruar ndaj tyre. Aksionet e krimit në politikë do të zhduken dhe kjo kërkon njerëz me kurajo në radhë të parë në radhët e njerëzve të sistemit të drejtësisë, të prokurorëve dhe të gjyqtarëve.
Koha kur Shullazi futej në zyrat e policisë duke rrahur policë, sepse kishin ndaluar miq të tij për vrasje duhet t’i jepet fund dhe hapi i parë për të shkuar drejt saj është dekriminalizimi i Ministrisë së Brendshme, e cila nis me largimin e Tahirit. Pa këtë dekriminalizim të Ministrisë së Brendshme është e kotë që të shpresohet se punën e policisë do të vijojnë ta bëjnë Prokuroria dhe Shërbimi Informativ. Peshku është qelbur nga koka dhe zgjidhja duhet të nisë nga protektori i krimit në Ministrinë e Brendshme.