Nis revolta ndaj Balotellit tek “Nice”

Mario Balotelli përfundon sërish në qendër të vëmendjes, këtë herë jo për mirë, por për keq. Pas një nisjeje shumë pozitive të sezonit me Nice në Francë, sulmuesi italian tashmë po përjeton një krizë të vërtetë. Trajneri Lucien Favre e ka lënë jashtë listës së të grumbulluarve në 2 ndeshjet e fundit, por në drejtim të SuperMarios kanë ardhur kritika të shumta edhe nga shokët e skuadrës. “Është më i forti, por izolohet dhe mbyllet në vetvete, duhet të impenjohet më shumë në stërvitje dhe në ndeshje”, ka deklaruar fillimisht shoku i skuadrës Eysseric.
“Është një mëkat që ai nuk ka dëshirë të bëjë pothuajse asgjë sepse falë aftësive që zotëron mund të lërë shenjë në çdo ndeshje. Nuk flet fare me shokët e skuadrës, është gjithnjë e më shumë i mbyllur në vetvete”, shtoi më pas Eysseric. Fakti që nuk po jep më të mirën e tij as te një skuadër ku nuk ka presion siç është Nice, është një tregues i qartë se Mario Balotelli po çon dëm karrierën e tij si futbollist. Ai konsiderohej si nga talentët më të mëdhenj të futbollit italian gjatë viteve të fundit, por pas aventurave te Interi, Manchester City, Milani e Liverpooli dhe tashmë te Nice në Francë, Balotelli po zhduket papritur dhe mund t’i japë fund një karriere që nisi në mënyrë spektakolare.

Artikulli paraprakI pakalueshëm!
Artikulli tjetërTë parët në Europë për ryshfet ndaj mjekëve