Bajerni i përçarë

Bajerni i Mynihut ka humbur shkëlqimin në Bundesligë. Më shumë mbahet mend paraqitja e dobët e tyre, sesa rezultatet. Bavarezët janë mjaft të shqetësuar nga kjo dobësi, pasi në finalet e mëdha mund t’u kushtojë shumë. Por, cilat janë arsyet e këtyre ndeshjeve pa fantazi, pa ide, pa agresivitet? Mos vallë lojtarët e kanë humbur dëshirën për të fituar apo problemi është i brendshëm?
Duket se shkaku është kjo e fundit. Gazeta bavareze “Abendzeitung” zbulon se shkak i kësaj krize janë grupimet e brendshme të lojtarëve. Bajerni, i ndarë në klane? “Nuk është problemi i kualitetit, por i sakrificës”, tha Ançeloti duke kritikuar publikisht lojtarët e tij pas barazimit 1-1 kundër Shalkes. Jo rastësisht, trajneri italian akuzon lojtarët e tij për mungesë vullneti për të ndihmuar njëri-tjetrin.
Sipas burimeve të gazetës “AZ”, lojtarët e Bajernit kanë krijuar klane. Nga njëra anë kemi thirrjet e dy kapitenëve, Lahm dhe Nojer, për rimëkëmbje dhe, nga ana tjetër, disa lojtarë si Vidal, Riberi dhe Kosta, të cilët nuk i marrin seriozisht sinjalet e kapitenëve. Vetë qendërmbrojtësi Mats Humels flet për mungesë të balancave dhe sqaron në mënyrë diplomatike ekzistencën e mendimeve ndryshe në ekip.
“Natyrisht që unë e di pse nuk kemi balanca, por jam i rezervuar për ta thënë në media”, tha Humels, i cili e bazon deklaratën e tij në duelin kundër Shalkes. Nëse analizojmë me kujdes këtë ndeshje, vihet re që disa lojtarë nuk shkojnë mirë me njëri-tjetrin. Kjo rëndon edhe në qëndrimet e Robenit, i cili protestoi ndaj zëvendësimit të trajnerit.
Robert Lewandowski është viktimë e stilit të lojës që Ançeloti po aplikon te Bayerni i Mynihut.
Ky është mendimi i Bernd Schusterit, ish-trajnerit të Realit të Madridit dhe Malagas në kampionatin spanjoll, i cili bën edhe dallimin mes teknikut italian dhe Pep Guradiolës në mënyrën se si luajnë bavarezët. Sipas 57-vjeçarit, i cili ka qenë pjesë e kombëtares gjermane në vitet 1979-1984, me Pep kampionët e Bundesligës luanin më shumë si ekip dhe nuk predominonin individët e veçantë, por gjërat kanë ndryshuar me ardhjen e Ançelotin.
“Carlo lejon çdo futbollist të bëjë atë që dëshiron, por kjo sjellje nuk e ndihmon lojën në grup. Bien në sy elementë të veçantë si Robben, Ribery apo Dauglas Costa. Për mendimin tim, Bayerni po has më shumë vështirësi krahasuar me periudhën e Guardiolës. Nuk krijojnë rrezik, ndërsa Lewandowski ka më pak mundësi para portës. Tani duhet të bëjnë mrekullira për të shënuar”, u shpreh Shuster.
Në fakt statistikat tregojnë një lloj rënieje të efikasitetit të Lewandowskit para portës. Gjatë këtij sezoni, sulmuesi polak ka shënuar 15 gola në 20 ndeshje dhe duket e vështirë të arrijë shifrën e 30 finalizimeve të sezonit të kaluar. Sshhuster në vijim të analizës së tij për lojën e Bayernit vlerësoi mbi të gjitha cilësitë e Thiago Alccantarës. “Ai është i jashtëzakonshëm në kontrollin dhe përdorimin e topit, e lexon mirë lojën dhe mund të luajë në qendër apo disi më i avancuar. Mund t’i tregojë pikat e tij të forta edhe në hapësira të ngushta”, tha Shuster.

Artikulli paraprakVata shpëton klubin gjerman nga falimenti
Artikulli tjetërBajernin e eliminojmë në shtëpi