Bajernin e eliminojmë në shtëpi

Për Arsenalin, Champions-i rinis të mërkurën me transfertën e vështirë në shtëpinë e Bajernit të Mynihut, e vlefshme për 1/8-at. Trajneri i “topçinjve”, Arsen Venger, është optimist se këtë herë anglezët do të arrijnë ta kthejnë trendin e fundit ndaj rekordmenëve gjermanë. Kjo është hera e katërt në pesë sezonet e fundit që londinezët takohen me gjigantët e Bundesligës, por tekniku francez beson se këtë herë avantazhi i ndeshjes së dytë në shtëpi mund të rezultojë vendimtar për kualifikimin.
“Po, është e vërtetë që kemi pasur eksperienca të këqija kundër tyre. Por, unë e ndiej se kjo është një mundësi e mirë. Ne kemi fituar më parë në Mynih dhe e luajmë ndeshjen e parë në transfertë. Kështu që është e rëndësishme, që ta kemi ndeshjen e kthimit në shtëpi, sepse nëse do të kesh një shans për t’u kualifikuar në këtë përballje, fakti që gjithçka do të vendoset në Londër është tepër e rëndësishme. Duhet të mbrohemi mirë si skuadër”, tha Venger në faqen e klubit.
Venger pranon se është i shqetësuar nga forma në të cilën mbërrin në këtë ndeshje Mesut Ozil. Mesfushori gjerman nuk shënon prej dy muajsh dhe saktësia e këmbës së tij e tradhtoi edhe në ndeshjen e fundit, kundër Hullit. Por Venger e paralajmëron se ai ka një rol shumë të rëndësishëm në tentativën e radhës së “topçinjve” për të arritur çerekfinalen e parë prej 2010-ës.
“Ka ardhur momenti që ai të shënojë përsëri. Ndoshta i duhet të gjejë vetëbesimin, sepse po humbet shanse. Ai humbet raste që nuk duken normale për të. E ndjeva se i mungonte vetëbesimi ndaj Hullit. Është gjithnjë problem, sepse kur të mungon ai, ti nuk mund të bësh diçka speciale. Është e vërtetë që ndaj Hullit teknikisht ai humbi disa raste që nuk jemi mësuar t’i shohim ta bëjë në të shkuarën”.

Artikulli paraprakBajerni i përçarë
Artikulli tjetërBashkëpunimi Trump-Trudeau dhe ndikimi i Ivanka Trump