Grevistët e urisë në Fier ndodhen në gjendje të rënduar shëndetësore, por autoritetet nuk kanë reaguar akoma. Të vetmit pranë tyre sot ishin këshilltarët e Presidencës. Shëndeti i 9 grevistëve në Zharrëz po përkeqësohet në çdo orë që kalon. Që prej së hënë grevistët kanë refuzuar edhe ujin, ndërsa ndihma mjekësore po u ofrohet vetëm në situata kritike. Kështu edhe pse grevistët vendosën të refuzojnë, serumet mbrëmjen e kaluar dy prej tyre janë dërguar në spital nga të afërmit për të mos lejuar përkeqësim të mëtejshëm të gjendjes së tyre shëndetësore.
Në mesditë, grevistët janë vizituar nga këshilltarë të Presidencës, ndërsa pushteti vendor nuk u ka ofruar asnjë zgjidhje për të dalë nga greva. “Kemi dalë nga greva dhe na kanë gënjyer, këtë radhë duam vepra. Ne nuk duam më letra, jemi ngopur me to”, shprehet një prej grevistëve.
Mbrëmjen e së hënës, banorët e fshatit Zharrëz kanë bllokuar rrugën nacionale dhe u kanë vënë zjarrin disa makinave në shenjë proteste ndaj heshtjes së qeverisë për grevën e urisë.
Pas lëkundjeve të tokës, është hera e tretë që banorët e fshatit hyjnë në grevë urie. Ata thonë se i kanë ndërprerë dy grevat e mëparshme, pasi u besuan premtimeve dhe se nuk merren me kompaninë që kërkon naftë, por me qeverinë. “Duam ta zhvendosim grevën në Tiranë, nuk kemi punë me “Bankers”. Ne kemi punë me shtetin…ta zgjidhi shteti”, thotë grevisti, Alket Asllani.
“Duam shpërblim për shtëpitë, këtu s’rron njeri më shumë se 60 vjeç. Kam një djalë 9 muajsh me pompë me azëm”, thotë një tjetër grevist.
Pas ankesave të banorëve, Ministria e Energjetikës deklaroi se lidhur me masat e marra për situatën e tërmeteve të shkaktuara në zonën e Zharrëzës, në vendburimin e naftës dhe gazit të Patos-Marinzës, do t’i kërkonte kompanisë “Bankers” të ndalojë operacionet e injektimit të ujit në gëlqeror në zonën e Zharrëzës dhe të përdorë alternativa të tjera për trajtimin e ujit teknologjik pa dëmtuar mjedisin, si dhe masa riparuese të nëntokës dhe mbitokës, që të shmangen pasojat negative për komunitetin.
Masat përfshijnë sistemin e banorëve nga shtëpi të pabanueshme dhe angazhimin e një eksperti teknik ndërkombëtar të pavarur për të përcaktuar në mënyrë objektive dhe asnjanëse shkakun e lëkundjeve.