Kapen hajdutët, po për lekët pse hesht policia?

Policia bëri të ditur dje se vuri në pranga 4 persona si të dyshuar për grabitjen e miliona eurove në Qafë Kashar, por nuk bëri transparencën e parave të grabitura. Bashkë me arrestimin e autorëve të dyshuar të grabitjes së parave në Rinas, policia tha se, ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe vlera të konsiderueshme monetare, por pa dhënë shumën e parave.
Ministri Tahiri u shfaq i qeshur jashtë ambienteve të Drejtorisë së Policisë së Tiranës sëbashku me drejtorin e Policisë së Tiranës për të publikuar lajmin e arrestimeve. Drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj deklaroi se, policia ka arrestuar 4 nga 6 autorët e dyshuar për supergrabitjen e 3.2 milionë eurove në rrugën e Rinasit. Gjatë deklaratës së tyre, as ministri Tahiri dhe as drejtori i Policisë Hodaj nuk dhanë asnjë shifër se sa ishte shuma e parave të gjetura nga policia gjatë operacionit.
I pyetur nga gazetarët se ku ndodhen paratë e grabitura në Qafë Kashar, Hodaj nuk përmendi shifrën e saktë se sa ka qenë shuma e parave të sekuestruara gjatë operacionit nga policia. Ai tha se paratë janë gjetur në vende që i kishin fshehur autorët dhe pas verifikimit të kryer, u vu re se ato kishin të njëjtën prerje të atyre që iu grabitën BKT-së në 9 shkurt. Në rastet e tjera të operacioneve për sekuestrimin e drogës apo për ngjarje të tjera kriminale, policia ka publikuar me pamje filmike operacionet, duke publikuar edhe sasinë e drogës së sekuestruar, ndërsa për operacionin nuk u tha se sa ishte sasia e parave të sekuestruara nga grabitja në Qafë Kashar.
Hodaj tha se, gjatë operacionit janë arrestuar shtetasit Fation Xhyliu, 33 vjeç, lindur në Lushnjë banues në Tiranë, ish-punonjës në Shpsf “Rogat”. Ditjon Memlika, 31 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë, ish-efektiv në Forcat Ushtarake. Neim Avdulaj, 28 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, ish-ushtar profesionist në forcat ushtarake të Zallherrit. Ernest Kupa, me banim në Krujë, me biznes privat, si edhe u shpallën në kërkim shtetasit me iniciale M.A., dhe Ç.A. dhe po punohet për kapjen e tyre. “Sasia e lekëve është gjetur në disa vende. Ndaj janë veprimet hetimore të karakterit sekret dhe mund të ketë të tjerë që mund të jenë në hetim”, tha Hodaj.
Kreu i Policisë së Tiranës tha më tej se, 4 autorët e dyshuar të grabitjes, janë persona me precedentë të mëparshëm penal, brenda dhe jashtë vendit. “Është çështje në hetim, por nga informatat që ka policia, disa nga këta persona kanë background të mëparshëm penal brenda dhe jashtë vendit. Duke kuptuar edhe interesin tuaj (i drejtohet gazetarëve), çështja është në hetim dhe e kam të pamundur që të të përcaktoj rolin e tyre në këto ngjarje kriminale. Drejtoria e Policisë së Tiranës ka mbledhur prova të pakontestueshme që i implikojnë ata në këto ngjarje”, tha Hodaj.
Grabitja në Qafë Kashar ndodhi më 9 shkurt, ndërsa mediat pranë qeverisë njoftuan ditën e ngjarjes se janë grabitur 100 mijë euro, ndërsa më pas u deklarua se shuma e grabitur ishte 2 milionë euro. Ndërkohë, burimet nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se janë grabitur 10 thasë me nga 1 milion euro. Prokuroria bëri të ditur një ditë më parë, se janë grabitur 3.2 milionë euro nga grupi prej 6-7 personash që organizoi dhe ekzekutoi grabitjen e parave të një bankë të nivelit të dytë në aksin Qafë-Kashar-Rinas.
Prokuroria tha se, policia ka qenë e njoftuar për lëvizjen e vlerave monetare nga qendra e Tiranës në drejtim të Rinasit ditën që maskat grabitën paratë e bankës së nivelit të dytë në Qafë Kashar. Sipas organit të akuzës, njëri prej personave përgjegjës të shoqërisë së sigurisë ka deklaruar se, rreth orës 12:36 minuta ka njoftuar Drejtorinë e Policisë për lëvizjen e parave. Çdo gjë ka ecur normalisht derisa makinat e shoqërisë së sigurisë janë futur në rrugën e Rinasit.

R.POLISI

Artikulli paraprakKLD hetim gjyqtarëve të ‘Hakmarrjes për Drejtësi’
Artikulli tjetërPërgjimet italiane: Biznesi i Ramës me “Hakmarrjen”