“Ishim katastrofë”!

Barcelona pas më shumë se një dekade mund të mbesë jashtë çerekfinaleve të UEFA Champions League pas një humbjeje të rëndë në ndeshjen e parë të 1/8 kundër PSG. Francezët fituan 4-0 ndaj blaugranave pas një ndeshje të përsosur në “Parc de Prince” me ekipin e Enrikes që ishte vetëm një hije e skuadrës spektakolare që jemi mësuar të shikojmë zakonisht. Angel di Maria ishte frymëzuesi i të tijve, me një dygolësh, ku i pari erdhi në minutën e 18-të pas një goditjeje dënimi. Përpara pushimit blerja e dimrit, Draxler dyfishoi shifrat duke krijuar një rezultat sigurie për vendasit.
Në pjesën e dytë jo vetëm që nuk pati një kthesë të Barçës, por PSG madje vazhdoi të thellonte më tej shifrat përballë një rivali të shpërfytyruar nga dikur nuk njihte kundërshtar me Di Marian që shënoi dhe golin e 3-të, ndërsa mbrëmja magjike e PSG u kompletua nga Cavani që shënoi dhe golin e 4-tërt për të tijtë, për një 4-0 që vështirë se mund të përmbyset, qoftë dhe nga Barcelona.
Fitore arriti dhe skuadra tjetër vendase e mbrëmjes së të martës në Champions, Benfica që mundi 1-0 Borusian e Dortmundit me një gol të Mitroglu, ndërsa verdhezinjtë humbën dhe një 11-metërsh me Aubameyang.
Luis Enrike nuk e ka fshehur nervozizmin pas ndeshjes, kur ka debatuar me gazetarët. Trajneri i Barcelonës e ka pranuar dominimin e kundërshtarit, ndërkohë që nuk mendon se kualifikimi është vendosur pas kësaj ndeshjeje. Ai ka thurur elozhe për Di Marian dhe “qan” rastin e humbur nga Andre Gomes në fillim të takimit. “Pse e ndryshoni tonin e zërit kur më pyesni pas një humbjeje?! A nuk duhet të jetë njësoj edhe kur fitoj?! (i përgjigjet një gazetari spanjoll). Gjithsesi, e prisja që PSG-ja do të bënte një paraqitje të mirë. Ne ishim katastrofë”, u shpreh Enrike.
Ai foli më tej se çfarë nuk funksionoi tek Barcelona. “Kundërshtari arriti të jetë më superior si kur kishte topin në zotërim, ashtu edhe në lëvizje pa top. Bën një presing thuajse perfekt. Mund ta cilësoj se realizuan ndeshjen e jetës, pasi nuk pashë asnjë gabim të tyre. Ndërsa ne kemi shumë gjëra për të analizuar. Është e pafalshme të humbasësh topin në mesin e fushës apo në afërsi të mbrojtjes”, tha trajneri i Barcelonës.
Në fund Enrike tha se, gjithçka mund të ndodhë në ndeshjen e kthimit. “Sigurisht që logjika të bën të mos kesh shumë shpresa, por ne jemi Barcelona. Gjithçka mund të ndodhë. Së pari duhet të ruajmë përqendrimin, pasi kemi ende shumë ndeshje deri në fund të sezonit. Kur të vijë radha e takimit të kthimit, do të mundohemi të bëjmë më të mirën”, përfundoi Enrike.

Artikulli paraprakDëmtohet rëndë, City humbet Gabriel Jesus
Artikulli tjetërBenfika thyen Dortmundin