Përsëri sulme në Pakistan, 7 të vrarë

Dy shpërthime kanë vrarë shtatë persona dhe kanë lënduar shtatë të tjerë në Pakistanin Veriperëndimor.
Një sulmues vetëvrasës ka vrarë pesë persona dhe ka lënduar shtatë të tjerë gjatë sulmit që ka pasur cak shtabin administrativ të një rajoni fisnor në Mohmand.
Grupi i talebanëve të Pakistanit, Jamaat ul Ahrar e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm. Grupi në fjalë operon në rajonin Mohmand, që është afër kufirit pothuajse jashtë kontrollit me Afganistanin.
Zyrtarët e spitalit i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se tre nga viktimat kanë qenë pjesëtarë të policisë rajonale, të njohur si Levies.
Në një sulm tjetër, dy persona janë vrarë në qytetin veriperëndimor Peshauar kur një bombë ka shpërthyer afër një spitali.
Mediat vendore duke cituar burime policore kanë thënë se bomba ka shpërthyer afër kompleksit spitalor Hayatabad në një lagje të pasur të Peshauarit. Asnjë grup deri më tash nuk e ka marrë përgjegjësinë.
Lideri kryesor opozitar në Pakistan, Imran Khan e ka pasur në plan që ta vizitojë spitalin dje, por nuk është ende e qartë nëse ai ka qenë aty në kohën kur ka ndodhur shpërthimi.
Këto sulme kanë ndodhur dy ditë pas një sulmi tjetër përgjegjësinë për të cilin e ka marrë grupi Jamaat ul Ahrar, ku janë vrarë 13 persona në qytetin lindor, Lahore, më 13 shkurt.

Artikulli paraprakDiego Costa, akord 75 milionë euro
Artikulli tjetërKuçi: Shqipëria nuk mund të mbrojë sovranitetin e Kosovës