Është thjeshtë La Liga, kampionati më i bukur në Botë, jo vetëm për faktin se aty luajnë dy lojtarët më të mirë në rruzullin tokësor, Lionel Mesi dhe Cristiano Ronaldo, por edhe sepse lufta për titull është më e nxehtë se kurrë si në asnjë kampionat tjetër në Europë. Askush nuk do ta kishte imagjinuar se 4 javë përpara fundit të sezonit futbollistik 2015-2016, tre skuadrat e kreut do të ndaheshin me vetëm 1 pikë në renditje. Java e 34 në fakt nuk ndryshoi asgjë në luftën për titull, sepse Barcelona favoritja kryesore për ta fituar La Ligan, la pas krizën e javëve të fundit me një fitore fantastike 0-8 në Riazor ndaj Deportivo La Corunas. Atletico e Madridit që ka pikë të barabarta me Barcën, por që pozicionohet në vendin e dytë, pasi i ka humbur të dyja sfidat direkte ndaj blaugranave iu fal një goli të Fernando Torres-it për të mposhtur Bilbaon. Edhe Reali i Madridit bëri detyrën, duke fituar qetësisht me shifrat 3-0 një ndeshje jo të thjeshtë në letër ndaj Villarealit të vendit të 4-t. Nëse i hedhim një sy kalendarit në 4 javët e mbetura të Primera Division, kundërshtarët janë pothuajse të një shkalle të përafërt vështirësie për Barcën e Atleticon, ndërsa një kalendar disi më të ndërlikuar ka Reali i Madridit.
Barcelona në fakt do të luajë dy ndeshje në shtëpi ndaj Sporting Gijon-it dhe Espanyolit dhe 2 të tjera në transfertë kundër Real Betisit dhe Granadës kundërshtarë që luftojnë për mbijetesë dhe që mund t’i bëjnë ndonjë surprizë të hidhur skuadrës së Luis Enriques. Atletico nga ana tjetër do të luajë 3 nga 4 ndeshjet e fundit në ’Vicente Calderon dhe vetëm 1 në transfertë, ndaj ekipeve të tilla si Malaga, Rayo, Levante e Celta. E kundërta do të ndodhë me Los Blancos, pasi Reali do të luajë tre ndeshje jashtë dhe vetëm 1 në Bernabeu. Kalendari propozon për skuadrën e Zidane dy transferta radhazi ndaj Vallecanos e Sociedadit, ndërsa do të mbyllë gjithçka me takimet ndaj Valencias në shtëpi dhe Deportivos jashtë. Pas javës së 34-t Barcelona ka një Luis Suarez më shumë i cili ndaj La Corunas e dërgoi topin në rrjetë plot 4-herë, duke i konfirmuar si një killer i vërtetë përpara portës.
Me një El Pistolero në formë të tillë, fitimi i titullit të dytë radhazi do të jetë më i lehtë të Barcelonës, edhe pse futbollit asnjëherë nuk i dihet. Nga ndonjë tjetër hap fals i blaugranave kërkon të përfitojë Atletico që me një Ferando Torres të rilindur që po e gjen rrugën e rrjetës në vazhdimësi, por edhe me lojtarë si Griezmann, Koke e Saul synon të fitojë titullin e dytë kampion në tre vitet e fundit. Më pak shpresa ka Reali i Madridit që duhet të shpresojë të ngecin si Barcelona ashtu edhe Los Colchoneros, por në një kampionat të çmendur si La Liga gjithçka mund të ndodhë. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’u themi shijoni gjithçka në ekranin e Supersport, sepse Primera Division është padiskutim kampionati më i bukur në Botë.