Grevistët e Zharrëzit në gjendje të rëndë, banorët bllokojnë rrugën Fier-Berat

Gjendja shëndetësore e 9 grevistëve në Zharrëz të Fierit është e rëndë. Kurse banorët çdo natë bllokojnë rrugën Fier-Berat. Përfaqësues të OSBE vizituan sërish grevistët. Atyre iu premtua një raport i posaçëm për situatën. Nga ana tjetër, premtimi se Kryebashkiakja e Patosit, Rajmonda Balili, do të takohej me banorët rezultoi vetëm një mënyrë për të zhbllokuar aksin rrugor Fier-Berat, të cilin banorët po e bllokojnë në shenjë proteste për indiferencën ndaj situatës në Zharrëz.
Që prej së hënës, grevistët kanë refuzuar edhe ujin. Ata vendosën të refuzojnë edhe serumet, por kjo nuk është lejuar nga familjarët, të cilët i kanë dërguar në spital mesatarisht një herë në çdo 12 orë.
Kjo është greva e dytë e urisë pas lëkundjeve të fuqishme të tokës në fushën naftëmbajtëse Patos-Marinëz një muaj më parë. Ata kërkojnë verifikimin dhe kompesimin e dëmeve në banesa dhe mjedis, në të kundërt nuk dalin nga greva.
Banorët akuzojnë kompaninë, Bankers Petroleum, për shpërthime nëntokësore gjatë nxjerrjes së naftës, por kjo e fundit nuk e pohon një gjë të tillë. Nga lëkundjet e vazhdueshme të tokës që prej vitit 2007 në fushën naftëmbajtëse janë dëmtuar qindra shtëpi në fshatrat Zharrëz Belinë dhe Marinëz.

Artikulli paraprakPlehrat italiane mësyjnë në Portin e Durrësit
Artikulli tjetërDrejtoresha mikeshë e ministres vjedh lekët e kontributit të shkollës