Ajeti titullar ndaj Romës

Arlind Ajeti konfirmohet titullar te Torino edhe për sfidën shumë të rëndësishme ndaj Romës që do të luhet të dielën në orën 18 në stadiumin “Olimpico”. Paraqitjet e mbrojtësit shqiptar në sfidat ndaj Empolit dhe Pescarës kanë bindur trajnerin e skuadrës Granata, Sinisa Mihajloviç për t’i dhënë mundësinë 23-vjeçarit shqiptar të aktivizohet në vazhdimësi. Ajeti në takimet e fundit ka fituar balotazhin me brazilianin Castan, i cili nuk bën më pjesë në planet e trajnerit serb të Torinos edhe pse në të kaluarën ka mbajtur veshur fanellën e Romës. Mungesa e Rossettinit për arsye të dëmtimit ka bërë që Mihajloviç përkrah një eksperti si Moretti të aktivizojë në qendër të prapavijës edhe  një të ri premtues si Arlind Ajeti, i cili nga ndeshja në ndeshje po e rrit ndjeshëm nivelin e tij.
Ndaj Romës në “Olimpico”, Ajeti synon të bëjë një tjetër paraqitje të mirë pas asaj ndaj Pescarës, takim në të cilin realizoi golin e tij të parë me fanellën e Torinos, pasi bëhet fjalë për një ndeshje të rëndësishme, që mund të rrisë kuotat e tij për të luajtur titullar edhe me kombëtaren shqiptare në duelin e 24 marsit ndaj Italisë në Palermo. Në Serinë A, këtë të shtunë luhet edhe një derbi shqiptarësh ai mes Frederik Veselit dhe Thomas Strakoshës, pasi në “Carlo Castelani” Empoli do të sfidojë Lazion, megjithatë këtë sfidë pritet ta nisë si titullar vetëm portieri 21-vjeçar. Nuk diskutohet prania mes shtyllave e Etrit Berishës në sfidën Atalanta-Crotone ashtu si edhe aktivizimi që nga minuta e parë i Elseid Hysajt në ndeshjen Chievo-Napoli. Titullar do të jetë edhe Ledian Memushaj në përballjen Pescara-Genoa. Sa shumë futbollistë shqiptarë në fushat e Serisë A, me shpresën se fundjava do të ngjyroset sërish kuqezi.

Artikulli paraprakKastriot Piroli, pasuesi i Prengës për deputet me precedentë penalë
Artikulli tjetërKosovë, asetet me interes strategjik do të trajtohen me ligjin për investime