Obama dhe vendet e Gjirit Persik debatojnë për Lindjen e Mesme

Presidenti amerikan, Barack Obama dhe udhëheqësit e shteteve të Gjirit Persik, po takohen në Riad për të diskutuar rrugët e bashkëpunimit më të ngushtë për të ndihmuar stabilizimin e rajonit të Lindjes së Mesme, me gjithë dallimet për rrugët e veprimit.
Presidenti Obama dhe gjashtë vendet anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, hapën takimin njëditësh të enjten me sesionin e përqendruar në kaosin politik dhe luftën në Siri, Jemen, Irak dhe Libi.
Shtetet e Bashkuara po kërkojnë përqendrim më të madh në zgjidhjet politike dhe më pak në konfliktin sektar, posaçërisht në shtetet si Jemeni e Siria, ku janë vendosur armëpushime të brishta.
Por, disa vende të Gjirit, si Arabia Saudite, e shohin dhunën sektare si kërcënimin kryesor për sigurinë. Krahas Arabisë Saudite, Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit përfshinë Kuvajtin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin, Bahrejnin e Omanin.
Pas sesionit mbi dhunën rajonale, grupi do të diskutojë rrugët e shtimit të luftës kundër grupit Shteti Islamik dhe al-Qaidas.
Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende perëndimore, i shohin grupet terroriste si kërcënimin kryesor ndaj sigurisë në botë dhe po kërkojnë më shumë bashkëpunim të vendeve arabe për luftë kundër tyre.
Sesioni përfundimtar do të përfshirjë bisedimet për Iranin dhe veprimet destabilizuese të tij në rajon.
Teherani mbështet kryengritësit huthi në Jemen, ku Arabia Saudite ka hapur një fushatë ushtarake kundër tyre.
Derisa Shtetet e Bashkuara pritet të publikojnë synimet për më shumë ndihmë ushtarake për partnerët e Gjirit, analistët nuk presin shumë në drejtim të marrëveshjes për mënyrën e përballjes së sfidave kryesore në rajon.
“Një nga problemet është fakti se perceptimet dhe përparësitë e Shteteve të Bashkuara, të cilat janë krejtësisht të natyrshme, duke pasur parasysh interesat tona kombëtare, thjesht nuk janë gjithmonë në vijë me interesat dhe përparësitë e vendeve të rajonit” tha Anthony Cordesman, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare. Por, takimet e tilla, luajnë një rol të rëndësishëm, tha ai.
Pas takimit dy orësh me dyer të mbyllura, Presidenti Obama dhe Mbreti Salman i Arabisë Saudite, janë pajtuar për rëndësinë e “një qasjeje gjithëpërfshirëse në zbutjen e konflikteve në rajon”.
Në një komunikatë të lëshuar pas takimit, Shtëpia e Bardhë tha se të dy udhëheqësit diskutuan “sfidat nga veprimet provokuese të Iranit në rajon”.
Tensionet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite janë shtuar për shkak të dallimeve në qasjen ndaj Iranit dhe luftës kundër terrorizmit.
Në komunikatë thuhet se Presidenti Obama e ka mirëpritur armëpushimin në Jemen dhe “përkushtimin e mbretit për të ofruar ndihmë humanitare gjithandej Jemenit”.
Për më tepër, “Presidenti ka nënvizuar rëndësinë e forcimit të fushatës kundër IS-it dhe ka mirëpritur rolin e rëndësishëm të Arabisë Saudite në kuadër të koalicionit”.
Presidenti Obama takoi të mërkurën edhe princin e kurorës së Abu Dhabit, Sheikun Mohammed bin Zayed Al Nahyan.
Pas takimit, Shtëpia e Bardhë tha se të dy janë pajtuar se takimi “është një mundësi e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e Gjirit që të forcojnë bashkëpunimin kundër IS-it dhe për zgjidhjen e konflikteve në rajon”.
Në përfundim të takimit të së enjtes, Presidenti Obama do të mbajë një fjalim para se të niset për në Londër, ku do të diskutojë me kryeministrin britanik David Cameron, një varg çështjesh, përfshirë luftën kundër terrorizmit, krizën e migruesve në Evropë dhe ekonominë botërore.

Artikulli paraprakDalja e Ronaldos, masë paraprake
Artikulli tjetërReferendumi i Britanisë dhe vizita e Obamës