Perez do të tërhiqet

Florentino Perez po mendon t’i japë fund përpara kohe, mandatit të tij si president i Realit të Madridit. Sipas mediave spanjolle, 69-vjeçari madrilen për shkak të disa problemeve personale është i lodhur nga posti që mban aktualisht dhe tërheqja e tij nga një moment në tjetrin nuk do të përbënte ndonjë çudi të madhe. Florentino Perez po përjeton epokën e tij të dytë në krye të Los Blancos. Ai u rizgjodh president i Realit në vitin 2009, duke pasuar në këtë detyrë Ramon Calderon. Afrimi në skuadër i lojtarëve të mëdhenj si Ronaldo, Kaka apo Bale bëri që 69-vjeçari të rizgjidhej si numri 1 i klubit merengues në vitin 2013-të, për një mandat të ri 4-vjeçar, i cili skadon pikërisht gjatë këtij viti.
Të gjithë mendonin se, Perez do të rikandidonte sërish, pasi nëse e bën diçka të tillë ai vështirë se do të ketë rivalë që mund ta zbresin nga froni, por duke iu referuar lajmeve që përcjellin mediat në gadishullin iberik, gjasat që janë të tërhiqet. Por përpara se të marrë vendimin për t’u larguar, dëshira e Perez është të gjejë një person të përgjegjshëm dhe me reputacion për t’i besuar drejtimin e klubit madrilen. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë dhe kush do të jetë realisht njeriu që do të marrë trashgiminë e Florentino Perez te Los Blancos.
Ndërkohë, presidenti i Lacios, Klaudio Lotito dhe drejtori sportiv, Igli Tare, gjatë ditës së mërkurë kanë qenë në Madrid për të ndjekur nga afër ndeshjen e Ligës së Kampionëve mes Realit dhe Napolit. Por sipas asaj që raportojnë mediat italiane, vizita e tyre në Spanjë nuk ishte vetëm për ndeshjen, por edhe për të folur në lidhje me një transferim të mundshëm të portierit Kejlor Navas në Itali.
Reali prej kohësh është në kërkim të një portieri tjetër titullar dhe emrat më të përmendur janë David de Gea dhe Tibot Kurtua. Në rast se një prej tyre do të vishte fanellën e “galaktikëve”, atëherë portierit nga Kosta Rika do t’i duhej të pranonte stolin, ose të largohej nga skuadra. Lacio gjithashtu është në kërkim të një portieri titullar, duke parë dëmtimet e shpeshta të Marketit, ndaj Navas konsiderohet si një mundësi shumë e mirë.
Por një transferim i Navasit te Lacio nuk do të ishte një lajm i mirë për portierin shqiptar Thoma Strakosha. Ky i fundit është aktivizuar si titullar gjatë këtij sezoni në ndeshjet ku ka munguar Marketi dhe ka bërë paraqitje mjaft pozitive. “Gardiani” 21-vjeçar shpreson që në rast të një largimi të Marketit, Lacio t’i besojë atij portën e skuadrës, por mesa duket drejtuesit e klubit të kaltër preferojnë dikë me më shumë eksperiencë.

Artikulli paraprakSkandali, Gjykata ndryshon shkresën për ndalimin e punimeve tek Torra
Artikulli tjetërIdrizi sherr me Gramoz Ruçin: Po talleni me çështjen çame