Me anë të një vendimi të mbajtur “sekret” për opinionin publik, qeveria shqiptare ka miratuar së fundmi një shtim të numrit të punonjësve të Gardës së Republikës të ngarkuar për ruajtjen e sigurisë fizike të ambasadores së BE-së, Romana Vlahutin. Qeveria ka dhënë një vendim në bazë të të cilit mësohet se, “qëllimi i këtij projektvendimi bëhet në kuadër të marrjes së masave të shërbimit për ruajtjen dhe mbrojtjen e ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe rezidencës së tij, ku kërkohet domosdoshmërisht ndryshim në menaxhimin e forcave, ndryshim në mënyrën dhe planifikimin e kryerjes së shërbimeve, si dhe shtesë në limitin e përgjithshëm të punonjësve të Gardës së Republikës me 10 punonjës, përkatësisht 2 punonjës niveli i mesëm, oficer dhe 8 punonjës niveli i ulët, nënoficer”, thuhet në vendimin e miratuar nga Rama.
Pavarësisht shpjegimit zyrtar që qeveria i bën vendimit, është ende e paqartë se pse ai është miratuar pikërisht tani. Pikëpyetje ka gjithashtu edhe për arsyen e një shtese kaq të madh të numrit të punonjësve të Gardës të ngarkuar për ruajtjen fizike të ambasadores së BE-së dhe rezidencës së saj të sapoblerë me vlerë 1.6 milionë euro.
Edhe pse nuk ka një shkak zyrtar se pse është bërë ky shtim rojesh, me 10 të tillë, shumica prej tyre mësohet se do të jenë të vendosur tek vila e Vlahutin, në një zonë rezidenciale jashtë Tirane, ku ka blerë vilën luksoze tek një mik i kryeministrit. Sipas “syri.net”, bëhet me dije se dhe vetë kryeministri e viziton shpesh në vilë mikeshën e tij, ambasadore të BE-së dhe ky mund të jetë një nga shkaqet se pse është vendosur që numri më i madh i rojeve të jetë tek vilat.
Por ka edhe një informacion tjetër në lidhje me këtë masë. Vila e ambasadores Romana Vlahutin është bërë një çështje e vërtetë në Bruksel, ku dyshohet se në Tiranë po bëhet një korrupsion i madh. E për këtë arsye kanë nisur hetimet në lidhje me aktivitetin e Vlahutin në Tiranë, që nga ndërhyrja tek tenderat deri tek punësimi i njerëzve të Edi Ramës në zyrën e Delegacionit Europian në Tiranë. Pas nisjes së hetimeve pritet që në kryeqytetin shqiptar të mbërrijnë gazetarë të huaj, të cilët do të kërkojnë të fotografojnë vilën 1.6 milionë euroshe ku jeton kroatja Romana Vlahutin, ambasadore e BE-së në Tiranë.
Pas publikimit në mediat e Tiranës së një kontrate ku delegacioni i Bashkimit Evropian ka blerë një vilë 1.6 milionë euro në një zonë rezidenciale, zyrtarët e Brukselit kanë nisur të shqetësohen. Inberborg Graessle, kryetare e Komisionit të Kontrollit të Buxhetit në Parlamentin Evropian i ka kërkuar llogari shefes së Shërbimit të Jashtëm në BE, Federica Mogherini. Letra e eurodeputetes është nisur më 15 shkurt dhe përmban një listë me 11 pyetje të detajuara. Ajo që bie në sy është pyetja numër 9 mbi punësimin nga Vlahutin në delegacionin e BE-së për kushërinjtë e ministrave të qeverisë Rama.
Hetimi i vilës së Vlahutin, reagon zyra Anti-Mashtrim në Bruksel
Vila e re e ambasadores së BE, Romana Vlahutin ka bërë bujë në Bruksel për shkak të shumës së madhe të parave që ka kushtuar kjo rezidencë. Zyra Anti-Mashtrim e BE-së (OLAF) ka refuzuar që të konfirmojë apo të mohojë nëse po heton çështjen aktuale, që dyshohet për një marrëveshje të mundshme korruptive nga ambasadorja Vlahutin. Zyra Anti-Mashtrim e BE-së është pyetur nga portali “Tirana Echo” nëse ka nisur hetim. “Nuk jemi në gjendje t’i përgjigjemi pyetjes suaj. OLAF zakonisht nuk bën komente për rastet që janë nën hetim apo që nuk janë nën hetim. Duhet të ruajmë konfidencialitetin e çdo hetimi të mundshëm apo ndonjë procesi gjyqësor të mundshëm, në mënyrë që të respektohen të drejtat personale”, thotë Zyra Anti-Mashtrim e BE në një prononcim për portalin “Tirana Echo”. OLAF ka konfirmuar gjithashtu për këtë portal se drejtori i përgjithshëm i Zyrës Anti-Mashtrim të BE-së dhe Prokurori i Përgjithshëm shqiptar Adriatik Llalla kohët e fundit kanë shkëmbyer mendime rreth bashkëpunimit mes dy institucioneve që drejtojnë. Rezidenca e re e ambasadores së BE, Romana Vlahutin në “Rolling Hills” është trajtuar gjerësisht në disa media shqiptare. Vila kushton 1.65 milionë euro është blerë shumë herë më shtrenjtë nga sa kushton një vilë në “Rolling Hills”, ku më e shtrenjta kap një shifër prej 800 mijë euro