Bylykbashi: Ligji për pronat do të shfuqizohet

Partia Demokratike nuk do të pranojë ligjin e ri të pronave, i cili u grabit pronat ish pronarëve. Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi deklaroi dje për mediat se ligji i qeverisë për pronat është antikushtetues dhe bie ndesh me Kushtetutën. Ai tha se PD do të garantojë në mënyrë maksimale që kjo e drejtë të shkojë në mënyrë përfundimtare dhe të plotë tek pronarët.
“Gjykata Kushtetuese po shqyrton një nga çështjet më të rëndësishme të këtyre 25 viteve, çështjen me ligjin me të cilin qeveria rishpronëson pronarët. PD ka paraqitur bashkë me subjektet e tjera kundërshtimet e saj ndaj këtij ligji. Ky ligj është antikushtetues, bie ndesh me jurisprudencën e kësaj gjykate. Mbi të gjitha, bien ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, sepse cenon jo vetëm parimet e Kushtetutës të Shqipërisë, por dhe të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.  PD ka bërë të qartë që ne i qëndrojmë në mënyrë absolute të drejtës së pronarëve për të rimarrë pronën që në mënyrë të padrejtë u është marrë para më shumë se 70 viteve. Do të garantojmë në mënyrë maksimale që kjo e drejtë të shkojë në mënyrë përfundimtare dhe të plotë tek pronarët” shprehet deputeti demokrat.
Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi tha se PD nuk do lejojë zbatimin e këtij ligji.
“Duke marrë parasysh faktin që në 25 vite ka patur dhe padrejtësi, kjo nuk është arsye që kjo qeveri, e cila buron drejtpërdrejt nga koncepti i shpronësimit të vitit ‘45, me këtë vjen sot përpara kësaj gjykate, të ketë të drejtën për të rishpronësuar së dyti. Ne garantojmë që ky ligj do të shfuqizohet, por ajo që ne presim është që Gjykata Kushtetuese duke i qëndruar jurisprudencës së saj, ta shfuqizojë këtë ligj si antikushtetues dhe në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, për të rikthyer të drejtën e pronës tek pronarët. Me atë që bën ky ligj e përsëris, është rishpronësimi i pronarëve. Ne këtë nuk do ta lejojmë.
Sot ajo që presim është që Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim lidhur me pezullimin e zbatimit të ligjit. Është një ligj, i cili tashmë ka filluar efektet e tij, prodhon pasoja të rënda e për rrjedhojë kërkesa para kësaj gjykate është që ky ligj të pezullohet derisa gjykata të marrë një vendim. Shpresojmë që gjykata ta marrë në konsideratë këtë rrezikshmëri të lartë që prodhon kjo normë e re e kësaj qeverie” theksoi Bylykbashi.
Qeveria ka krijuar pasiguri juridike në lidhje me pritshmëritë e subjektit të shpronësuar, i cili pret të kompensohet në tokën e vet, pasi më parë të bëhet vlerësimi për tokën e tij referuar llojit të pronës në momentin e shpronësimit. Fakti që një ish-pronar i është drejtuar më parë Strasburgut dhe i është dhënë shpërblimi i drejtë dhe një tjetër ende s’ka marrë kompensimin, nuk mund të lejojë ligjvënësin të krijojë një situatë pabarazie, pavarësisht interesit publik që synohet të mbrohet në ligj.

Artikulli paraprakSkandali, Rama stadium me kullë 17-katëshe për klientelën
Artikulli tjetërPaloka-Prokurorisë: Të dalin tabulatet e Ramës, do përfundojë si Shullazi