Klop tek Barcelona?

Del në skenë një emër i ri dhe madje shumë sugjestionues për stolin e Barcelonës. Mediat angleze bëjnë me dije se drejtuesit e klubit blaugrana po mendojnë për Jurgen Klop. Trajneri gjerman është nën kontratë me Liverpool-in dhe për momentin është i lumtur në “Old Trafford”, por një oferte të mundshme të Barcelonës, as një teknik si Klop nuk do i thoshte dot jo. Humbja e thellë me shifrat 4-0 ndaj Paris Saint Germain-it në Champions vulosi largimin e Luis Enriques nga skuadra blaugrana me trajnerin asturian që vetëm nëse arrin të bëjë një përmbysje të çmendur në ndeshjen e kthimit ndaj skuadrës franceze mund të ketë ndonjë shans për të qëndruar në krye të stolit të Barçës edhe për sezonet në vazhdim.
Luis Enrique është në skadencë kontrate me klubin katalanas dhe sipas të gjitha gjasave ky është sezoni i tij i fundit te Barcelona. Në këtë mënyrë presidenti Josep Maria Bartomeu ka nisur që tani nga puna për të gjetur njeriun që do t’i besojë stolin e skuadrës sezonin e ardhshëm. Përveç Jurgen Klop një tjetër kandidat është edhe Ronald Koeman, holandezi e njeh shumë mirë ambientin pasi është një ish-futbollist i Barçës dhe gjatë këtyre viteve ka bërë një punë të shkëlqyer në Angli fillimisht te Southampton dhe tashmë te Evertoni. Përsa i përket Klop nuk do të jetë e lehtë që gjermani të largohet nga Liverpooli, sepse drejtuesit e klubit të kuq po mendojnë t’i ofrojnë një kontratë të re 6-vjeçare.
Lionel Messi shpëton Barcelonën nga kolapsi. Ylli i katalanëve shënoi dy gola, në fillim dhe në fund të sfidës me Leganes, duke evituar komplikimin e situatës për skuadrën e Luis Enriques. Messi hapi serinë e golave vetëm pas 4 minutave lojë, por me disa titullarë të lënë pushim, “blaugranat” vuajtën përballë skuadrës së vogël madrilene. Leganes barazoi shifrat në të 71-ën me Unai Lopez, por kur u mendua se ata mund të fusnin në krizë Barçën, gjithçka u zgjidh në minutën e fundit. Neymar fitoi një 11-metërsh të diskutueshëm, të cilin Lionel Messi e shndërroi në gol.
Barça regjistroi fitoren e tretë radhazi në kampionat dhe ngjitet në vendin e dytë në renditje, me një pikë më pak se Reali i Madridit, megjithatë skuadra e Zidane ka dy ndeshje më pak. Surprizon Villareali. Fitore në fundin e lojës për nëndetësen e verdhë që falë një goli të Samu Castillejos, në sekondat e fundit mposhti 1-0 në transfertë Real Sociedadin.
Pavarësisht lodhjes pas sfidës me Romën në Europa League dhe faktit që u rikthye në fushë vetëm pas 55 orësh, skuadra e trajnerit Escriba mori një fitore shumë të rëndësishme në Anoeta me Villarealin që ngjitet në kuotën e 39 pikëve, dy më pak se Sociedadi i vendit të 5-të.

Artikulli paraprakGabigol shijon golin e parë, nderon Interin
Artikulli tjetërMorata drejt largimit nga Reali