Gjysma e bandës në qeli, gjysma në qeveri

Flamur NOKA

Arrestimi i Shullazit dhe njerëzve të tij kryesorë ka qenë kryelajmi i këtyre ditëve. Jo vetëm se krimi shet, siç thonë gazetarët, por sepse në këtë histori janë përfshirë njerëz të njohur, të pushtetshëm, nga nëpunësit e zyrave që ka pasur në shërbim banda e deri tek këta këtu, ministri i Brendshëm e Kryeministri. Arrestimi i Shullazit është një fillim i mbarë, por sërish mbetet një zhvillim i paplotë, është gjysma e mozaikut. Sepse në burg sot ndodhet vetëm gjysma e bandës. Gjysma tjetër e bandës, më e rrezikshmja është këtu zonja e zotërinj. Është në këtë sallë, është pas meje. A kam unë dëshirë të them se gjysma e bandës së Shullazit është ende e lirë, madje në pushtet? A mos ndjej unë apo çdokush këtu, kënaqësi ta njohim e ta shpallim këtë realitet dramatik? Që gjysma tjetër e bandës jo vetëm është ende në aktivitet, por dhe në pushtet madje. Gjysma tjetër e rrezikshme e kësaj bande, që është ky ministri i Brendshëm dhe kumbari i tij Kryeministër. Më besoni, asnjë lloj gëzimi nuk më jep ky denoncim. Një keqardhje madje të fortë, të pamasë, se ku ka përfunduar vendi im, keqardhje se kush i qeveris shqiptarët. Jo vetëm unë, që për shkak të detyrave të mëparshme dhe funksionit që kam sot, kam informacion të bollshëm, por çdo shqiptar tashmë e di se Saimir Tahiri ishte dhe është anëtar i bandës së Emiljano Shullazit. Madje një anëtar krenar i kësaj bande, aq krenar sa kurrë prej tre vitesh, në asnjë ditë të vetme ai nuk e mohoi këtë fakt. Nuk e mohoi se është kërthizëlidhur me Shullazin. A mund të pranojmë ne sot të kemi ministër të Brendshëm një anëtar të bandës së Shullazit? Kush është gati ta pranojë këtë fakt, ka humbur përfundimisht ndërgjegjen dhe integritetin njerëzor. Nëse gjysma e bandës është në qeli, nën akuza të rënda, më e pakta, gjysma tjetër duhet të largohet nga detyra e t’i hapë rrugën drejtësisë. A mund të pranojmë ne sot që Shullazi të jetë edhe në burg për gjobëvënie, kërcënim me jetë, zhvatje, vendosje eksplozivi e shumë të tjera dhe ai të jetë njëkohësisht edhe këtu në Parlament, edhe ministër i Brendshëm? Jo, kjo s’mund të ndodhë kurrë. Ik tani, ik menjëherë, fshihu ose dorëzohu është zgjedhja jote po ndiq deri në fund zgjedhjen që ke bërë si anëtar krenar i bandës së Shullazit, se ky vend, ky Parlament, shqiptarët, nuk të mbajnë më asnjë sekondë për ministër. Është turpi yt dhe i Edi Ramës që ndërkohë që ke zgjedhur të jesh shullazist, na vjen këtu dhe si ministër. Po nëse ti dhe ju s’e keni problem ta hani turpin me bukë ose me ndonjë lëndë tjetër të preferuar, ne nuk do t’ua lejojmë, ta harroni këtë. Qysh në fillim, unë e kam denoncuar këtu në këtë foltore, që ditën e parë kur je paraqitur si ministër i Brendshëm, se ky ishte një lajm i keq për vendin. I kemi njohur lidhjet e tua me krimin që në fushatë. Madje jam i sigurtë se ky ishte pakti i kumbarit Rama me krimin. Ata u përfshinë në zgjedhje, bënë maksimumin që ju të vini në pushtet, ndërkohë që Rama u premtoi Ministrinë e Brendshme. Dhe kështu ndodhi. E shpall sot këtu pa asnjë hezitim, se ky ishte i vetmi premtim që mbajti Edi Rama. Premtimi, për t’i dhënë krimit Ministrinë e Brendshme. Përmes kujt, përmes njeriut më të përshtatshëm, përmes Saimir Tahirit, një person me probleme jo të vogla të karakterit, një i parritur që donte të hidhte shtat me Shullazët e kompani. Lidhja e tyre ka qenë evidente përpara se të vinin në pushtet. Më pas u sanksionua, u kodifikua, u kthye në normë të biznesit kriminal. -Trafiku i drogës. Bandat e drogës, me Shullazin si kordinator të përgjithshëm, gjetën gjithë lehtësitë që kishin nevojë. Kanë 5 fishuar sot territorin. Po shpyllëzojnë kodra pa fund, për t’i mbjellë me kanabis. Në çdo cep të Shqipërisë. Raporti i Bashkimit Europian e konfirmoi e zeza mbi të bardhë. Shqipëria prodhuesi më i madh i drogës që trafikohet në Europë. U ngrit në funksion të drogës gjithë mekanizmi i duhur. Banda e Shullazit kontrollonte jo vetëm territorin, por dhe pikat kyçe në Policinë e Shtetit, në pikat kufitare, në dogana. Shërbimi i këtij shullazistit këtu ndaj trafikut e trafikantëve, shkoi deri tek dhënia e makinës personale, që u bë taksia më e madhe e drogës në vend. Por nuk mjaftoi droga. U rrit oreksi i bandës. Donin dhe para të shpejta e prona të shtrenjta. Shihni sa të lehtë e ka pasur Shullazi të tjetërsojë Vollgën, ta kthejë në emrin e tij. I papuni Shullaz, papritur bëhet pronari i truallit më të çmuar të qytetit e më tej i gjysmës së Durrësit. Pse? Kush ia siguroi këtë akses, kush ia siguroi këtë gatishmëri të zyrave të shtetit për të firmosur gjithçka ai kërkonte? Kush ia siguroi pushtetin që biznesmenë të panumërt të paguanin qindra mijë euro gjoba? Kush ia siguroi policët e Forcave Speciale që e shoqëronin për t’i ofruar siguri? Kush ia dha lehtësinë të kalojë në doganë pa e kontrolluar makinën e blinduar? Kush ia dha lehtësinë të përfshihet në përplasje të armatosur, e policia të pastrojë vendin e ngjarjes nga provat e ta shoqërojë atë me kujdes deri në banesë? Kush ia dha këtë status, këtë paprekshmëri, aq sa të dalë në mes të Tiranës e të caktojë dhe Rektorin e Universitetit? Mos ia dha ndonjë OJQ, ndonjë shoqatë veteranësh. Jo zotërinj, jo të nderuar qytetarë. Këtë status, këtë paprekshmëri ia dha Shullazit kjo qeveri, ky kryeministër, ky anëtar krenar i asaj bande që vjen edhe sot këtu si ministër i Brendshëm. Nuk ka asnjë dyshim se kjo goditje ndaj bandës erdhi nga jashtë, nga Prokuroria me mbështetjen direkte të partnerëve të çmuar ndërkombëtarë. Prokuroria është sot në një rol historik, për të bërë një kthesë të madhe në drejtësi. Ajo po vuan presionin e gjysmës tjetër të bandës që është në liri, që është këtu në këtë sallë. Por ka mbështetjen e mbarë qytetarëve të vendit, të miqve ndërkombëtarë, të shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të bërë një hetim të plotë. Për të nxjerrë në dritë të diellit mekanizmin, lidhjet, pushtetin e kësaj bande që u kthye në 3 vite në perandori të krimit. Vetëm një hetim i plotë, vetëm një zbardhje e plotë e lidhjeve kriminale të bandës, do të ishte drejtësi. Ky është rasti i artë, që drejtësia t’i shërbejë vendit. Jo vetëm duke dënuar një bandë, por duke pastruar politikën e institucionet nga rrënjët e shtrira të krimit e shullazëve në shumë zyra, institucione, e deri në majën e qeverisë. Ne e dimë mirë se, pengesa më e madhe në këtë hetim do të jetë qeveria. Edi Rama dhe Saimir Tahiri. Ky anëtari krenar i bandës do të përdorë çdo mjet për t’i shërbyer deri në fund shokëve. Ndaj kjo s’duhet lejuar. Ky është krim mbi krimet, dhe ne nuk do ta lejojmë. Hapi i parë, largimi i menjëhershëm i Tahirit nga zyra, nga detyra. Të bashkohet me gjysmën tjetër të bandës e ta dëshmojë besnikërinë e dashurinë ndaj saj atje, bashkë me ta, në qeli. Ik tani, mos e rrit edhe më shumë zullumin. Me siguri do të përfitosh lehtësi, nëse bashkëpunon me drejtësinë.

Artikulli paraprakRama i hapi krimit edhe portën e Universitetit
Artikulli tjetërPolicia nuk zbaton vendimin e Gjykatës për hotel “Vollgën”