Pike: Jemi deri në vdekje me Enriken

Luis Enrike ndihmoi Barcelonën të dilte nga një situatë delikate kur mori drejtimin e skuadrës duke pasuar Gerardo Martinon më 2014 dhe pavarësisht zërave të ditëve të fundit se tanimë trajneri ka lojtarët kundër, Gerard Pike shprehet se Luis Enrike ka mbështetjen e plotë në dhomat e zhveshjes. Trajneri i Barcelonës është vënë nën akuza pas disfatës tronditëse 4-0 të pësuar nga Paris Saint Germain.
Kontrata e tij skadon në verën e ardhshme dhe gjatë fundjavës vetë Enrike u shpreh se ende nuk është i vendosur se çfarë do të bëjë pas këtij sezoni. Presidenti i klubit Josep Maria Bartomeu insiston se ai dëshiron që Luis Enrike të qëndrojë në drejtim për sezonin e tij të katërt në “Camp Nou”, duke garantuar se drejtuesit e klubit nuk kanë një plan B për të zëvendësuar trajnerin, me Pike që doli në mbrojtje të trajnerit për t’i dhënë mbështetjen e plotë nga grupi i futbollistëve.
“Kur erdhi ky trajner ne ishim në vështirësi absolute dhe me të arrritëm triumfin e trefishtë në kupë, kampionat e Champions. Do të doja që të gjithë të kthenin kokën pas dhe të shihnin gjithë punën që ka bërë trajneri këtu. Ne jemi me të deri në vdekje. Jemi të gjithë bashkë duke u përpjekur të kalojmë këtë rënie të formës”.
Pas disfatës në Paris Barcelona dhuroi një paraqitje aspak shpresëdhënëse ndaj Leganes të dielën, me një penallti të minutës së 90 të shndërruar në gol nga Lionel Messi që siguroi 3 pikët duke mbajtur skuadrën në garën për titullin në La Liga. Pike e pranon se “Blaugranat”, po vuajnë për të luajtur futbollin më të mirë për momentin, por është i sigurt se do ta kalojnë këtë situatë.
Ndërkohë mediat kanë nxjerrë në skenë një emër të ri për stolin e Barcelonës. Mediat angleze bëjnë me dije se drejtuesit e klubit “Blaugrana” po mendojnë për Jurgen Klop. Trajneri gjerman është nën kontratë me Liverpool-in dhe për momentin është i lumtur në “Old Trafford”, por një ofertë të mundshme të Barcelonës, as një teknik si Klop nuk do i thoshte dot jo. Humbja e thellë me shifrat 4-0 ndaj Paris Saint Germain-it në Champions vulosi largimin e Luis Enrikes nga skuadra blaugrana me trajnerin asturian që vetëm nëse arrin të bëjë një përmbysje të çmendur në ndeshjen e kthimit ndaj skuadrës franceze mund të ketë ndonjë shans për të qëndruar në krye të stolit të Barçës edhe për sezonet në vazhdim.

Artikulli paraprakIsco te Juventus?
Artikulli tjetërShifrat flasin vetë për Interin