Murinjo provokon

Çelsi do të jetë rivalja e radhës e Junajtid në çerekfinalet e FA Cup dhe vetëm pak çaste, pasi Murinjo mësoi emrin e kundërshtarit të tij të radhës, nisi luftën psikologjike. Trajneri i Junajtid tha pas kualifikimit ndaj Blekbernit se skuadra e Kontes e ka siguruar titullin kampion në Angli dhe do të jetë më e përqendruar në FA Cup.
“Ndoshta Çelsi mund të mendojë vetëm për atë kupë, sepse unë mendoj se ata janë kampionë dhe nuk kanë tjetër për çfarë të luftojnë”, tha portugezi. “FA Cup është diçka e rëndësishme për ata. Ndërsa unë duhet të luaj kundër St Etien të mërkurën, pastaj kam finalen e Kupës së Ligës dhe shpresoj që të luajmë edhe në raundin tjetër të Ligës së Europës. Pastaj duhet ende të luftoj për të kapur një nga 4 vendet e para në kampionat. Kam shumë gjëra për të menduar”, tha trajneri i Manchester United.
Ai nuk kishte kurrë asnjë dyshim që Ibrahimoviç do të kishte një ndikim të jashtëzakonshëm këtë sezon. Sulmuesi suedez, i cili shënoi golin e kualifikimit në FA Cup ndaj Blekbërnit për të siguruar biletën në çerekfinale të dielën, regjistroi edhe golin e 24-ët sezonal me fanellën e “djajve”. 35-vjeçari po u jep përgjigjen më të mirë skeptikëve, të cilët dyshuan nëse ai do të ishte vendimtar edhe në tokën ku nuk kishte shkelur deri në këtë moshë, Angli.
“Unë nuk e di numrin e golave që ai ka shënuar. Unë dija me siguri, që ai do të bëhej një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Një gol më shumë apo një gol më pak, por unë e dija se kontributi i tij do të ishte masiv për ne”. Ibra e nisi nga stoli në “Ewood Park”, por u hodh në fushë në vend të Marsialit në 28 minutat e mbetura dhe shënoi golin e fitores në minutën e 75-të.
Ai ka realizuar një gol më shumë se Lionel Mesi (73) dhe dy më shumë se Kristiano Ronaldo (72) që prej startit të sezonit të shkuar. 50 golave të tij me PSG-në gjatë 2015/16 u bashkëngjiten edhe 24 për Junajtid gjatë 2016/17.

Artikulli paraprakBenzema i lë vendin Cavanit tek Reali?!
Artikulli tjetërGjermania gjen sulmues