Banorët që preken nga zgjerimi i rrugës Transballkanike në Vlorë, protestuan dje para Parlamentit për nivelin e ulët të çmimit që qeveria ka akorduar për t’i shpronësuar për shtëpitë. Me pankarta në duar, banorët kërkuan zgjidhjen e menjëhershme të problemit të tyre, në të kundërt ata paralajmëruan përshkallëzim të protestave. Banorët thanë se, kërkojnë shtëpi ose dëmshpërblim me vlerën e tregut në këmbim të shtëpive që po prishen për ndërtimin e rrugës Transballkanike në Vlorë.
Mes protestuesve nga Vlora ndodhej edhe kryetari i degës së PD të Vlorës, Moisi Meminaj. Protestës së banorëve që kishin ardhur nga Vlora për të protestuar para Parlamentit iu bashkua edhe kreu i grupit Parlamentar të PD, Edi Paloka. Pas nisjes së seancës parlamentare, protestuesve ju bashkua edhe Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun në PD, Grida Duma.
“Kryeministër bëhu njerëzor! Çmimet për banesat e rrugës Transballkanike janë diskriminuese”, “Larg duart nga pronat tona”, ishin disa nga thirrjet që banorët i drejtuan kryeministrit të vendit gjatë protestës. Asnjë përgjigje dhe reagim! As kryeministri që është deputet i zonës së Vlorës dhe asnjë nga ministrat nuk denjuan të dëgjojnë kërkesat e banorëve që kishin ardhur nga Vlora për të protestuar në Tiranë.
Protestuesit i kanë zënë rrugën një deputeteje të PS, duke i kërkuar që ta ngrinte zërin në Parlament për kërkesat e tyre të drejta, por ajo u është drejtuar protestuesve se nuk kanë punë me të, por me deputetin e zonës. “Nuk keni punë me mua, unë nuk jam deputete e zonës tuaj. Zgjidhjen kërkojeni tek deputeti i zonës”, iu drejtua deputetja socialiste protestuesve të Transballkanikes.
Prej disa ditësh, banorët janë hedhur në protestë në qytetin e Vlorës. Tre ditë më parë, ata protestuan para zyrës së kryeministrit në Vlorë. Banorët rrethuan zyrën e kryeministrit në Vlorë dhe i bënë apel Ramës, që të shikojë me prioritet çështjen e shpronësimeve të tyre, pasi çmimi i përcaktuar nga qeveria nuk përputhet me vlerën e tregut. Banorët kërkuan takim me kryeministrin Rama dhe paralajmëruan përshkallëzim të protestave, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh. Ata u shprehën se janë hedhur në protestë prej disa ditësh, por askush nuk u jep përgjigje për shpronësimin. “Asnjë nuk na jep asnjë përgjigje, kemi ardhur këtu tek zyra e Edi Ramës se këta thonë të gjitha i ka Edi Rama. Nëse i ka Edi Rama, ai duhet të na presë se jemi qytetarë të vjetër të Vlorës. Nëse Edi Rama në Vlorë, në një fshat më të humbur të Shqipërisë ka shtëpi me 200 euro dhe me tokë 50 euro, unë i propozoj Edi Ramës të më japë shtëpinë e tij dhe i jap 300 euro”, u shpreh një nga banorët gjatë protestës para zyrës së Ramës në Vlorë.
Ndërkohë, një ditë më parë banorët bllokuan aksin rrugor Vlorë-Fier për më shumë se një orë. Mjaft qytetarë vlonjatë i janë bashkuar protestës së banorëve që kërkojnë një proces të drejtë të shpronësimit, pasi me vlerat e dhëna nga qeveria, ata nuk mund të sigurojnë dot strehim.
Protesta e banorëve të Vlorës mbështetet edhe nga Dega e PD. “Protesta dhe rezistenca është e vetmja rrugë për qytetarët. Banorët kërkuan mbështetjen e PD dhe ne iu përgjigjëm kërkesës së tyre. Partia Demokratike qëndron në mbështetje të plotë të tyre. PD do të mbështesë qytetarët dhe do të ndjekë në çdo hallkë institucionale grabitjen dhe dhunimin e së drejtës së pronësisë’, u shpreh kryetari i PD të Vlorës.
Dëmshpërblimi për përmbytjet, banorët e Levanit bllokojnë rrugën
Dhjetëra familjarë të fshatit Ferras, Njësia Administrative Levan, kanë protestuar dje në hyrje të kthesës së Qarrit në aksin e vjetër rrugor Levan-Vlorë. Banorët kanë përshkallëzuar protestën, pasi thonë se ende nuk janë dëmshpërblyer për përmbytjet e vitit 2015. “Jo 7 milion tjetri, 10 milion tjetri. Të gjithëve t’u japin nga 100 mijë lekë të hajë populli. Jo ashtu si duan këta”, tha një banor.
Sipas tyre, janë 400 familje të dëmtuara që ende nuk kanë marrë asgjë, ndërkohë që ndihmat janë ndarë në mënyrë selektive. “Po na bëhet padrejtësi e madhe, jemi shumë të indinjuar. U lutemi instancave kompetente të marrin masa”, u shpreh një banor tjetër.
Banorët akuzojnë komisionerët e qeverisë që bënë vlerësimet sipas përkatësisë partiake apo nëpërmjet ryshfetit. Ata kërkojnë që komisionerët të vihen para ligjit. “Komisioni që ka ndarë ndihmat për përmbytjet të thërritet dhe të vihet para përgjegjësisë kujt ja ka dhënë dhe kujt nuk ia ka dhënë”, u shpreh një nga banorët gjatë protestës.
Protesta e banorëve të Ferrasit është e disata në harkun e pak ditëve. Familjet e prekura nga përmbytjet, një javë më parë patën dhe takim me Prefektin, por pa mundur të gjejnë një zgjidhje për çështjen e dëmshpërblimit.
Nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet, megjithëse ka kaluar më shumë se një vit. Nga ana tjetër, asnjë kompensin nuk është bërë për dëmet në bujqësi dhe banesa. Protesta është mbështetur nga PD lokale në Fier. Drejtuesi i saj Luan Baçi tha se në listat e hartuara për marrjen e kompensimeve janë futur të afërm të anëtareëve të Komisionit të Vlerësimit apo drejtuesve të tij.
Korçë, tregtarët paralajmërojnë ngritjen e çadrave para Bashkisë
Tregtarët e pazarit të Korçës kanë protestuar dje kundër vendimit të Këshillit Bashkiak, që i detyron ata të largohen nga pazari, nëse nuk ndryshojnë destinacionin e biznesit. Të grumbulluar para Bashkisë, tregtarët i bënë thirrje kreut të saj që të mbledhë Këshillin Bashkiak për të kërkuar anulimin e këtij vendimi që do të nxjerrë të papunë më tepër se 100 tregtarë.
Protesta e tregtarëve korçarë është mbështetur edhe nga aktivistët e Shoqërisë Civile, të cilët e konsideruan vendimin e Këshillit Bashkiak jo vetëm në shkelje të Kushtetutës, por edhe me prapavijë korruptive. Bashkia, sipas tregtarëve, u ka kërkuar që të mbyllin dyqanet në dy ditët e ardhshme, por ata kanë refuzuar, duke paralajmëruar ngritjen e çadrave para Bashkisë për të vijuar protestat.