Qeveri teknike dhe korrigjim i 7 ligjeve

Kryetari i opozitës, Basha deklaroi dje nga sheshi i lirisë së protestës qytetare se, PD dhe qytetarët nuk do të pranojnë kurrë zgjedhjen nën tutelën e parave të krimit dhe të drogës, ndërsa bëri thirrje që përballë ushtrisë së banditëve të ngrihet e gjithë shoqëria.
“Mbrëmë, ambasadori i OSBE-së, Bern Borshard më në fund lëshoi kushtrimin për kauzën që ne kemi ngritur tash 3 vite. 2 miliardë euro të pista për të blerë zgjedhjet e shqiptarëve. Para të pista, qeveri e pistë, lojë e listë, zgjedhje të pista. Ne nuk do ta pranojmë kurrë. Koha ka ardhur që përballë banditëve të veshur me pushtet e pushtetit të përforcuar me banditë, të rreshtohemi të gjithë qytetarë të lirë të Shqipërisë, të rreshtohemi në këtë betejë për të sotmen e të nesërmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Dënglat e tyre se ata duan reformën në drejtësi dhe ne nuk e duam, nuk i beson më askush. Nuk ka zog gomari t’i besojë. Nga vettingu i vërtetë dhe drejtësia e vërtetë ka frikë Edi Rama, ka frikë Vangjush Dako dhe bandat e lidhura me to”, tha Basha.
Basha tha se qëndresa e shqiptarëve sapo ka nisur dhe nga dita në ditë ajo do të bëhet edhe më e fuqishme.
“Qëndresa jonë sapo ka filluar, beteja jonë po merr hov nga dita në ditë. Mbështetja për këtë betejë vjen nga e vërteta, se rrugë tjetër për Shqipërinë nuk ka. Rruga tjetër të çon në një republikë të kapur nga bandat dhe krimi ku çdo shqiptar do të jetë skllav i tyre. Se si funksionon kjo mund ta thotë mirë çdo durrsak. Durrësi është qyteti i parë që ka rënë peng i bandave dhe i krimit, por Durrësi sot është këtu, Durrësi është gati, të ngrihemi të gjithë për të refuzuar republikën e krimit dhe për t’i hapur rrugë të gjithë së bashku republikës së demokracisë së vërtetë, republikës së shtetit ligjor të vërtetë dhe drejtësisë së vërtetë”, tha Basha.
Deputetët e opozitës e kanë zhvilluar seancën parlamentare jo në sallën e Kuvendit, por në sheshin e lirisë të protestës, duke dhënë një mesazh të qartë të mosnjohjes së institucioneve që janë kapur nga krimi. Basha i ka bërë thirrje deputetëve të tjerë që të braktisin godinën e Parlamentit dhe t’i bashkoheshin sheshit të protestave.
“Anëtarë të këtij Parlamenti të vërtetë të Shqipërisë ku po ushtrohet prej gjashtë ditësh demokracia direkte, demokracia direkte, sepse krimi dhe droga kanë asgjësuar institucionet e tjera të shtetit. Sot nuk ka dy parlamente, por një parlament dhe ai ndodhet këtu në këtë shesh të lirisë me çdo qytetar, përfaqësues i drejtpërdrejtë i zërit dhe vullnetit të tij. Godina që i thotë vetes Parlament, është sot streha më e qartë e krimit, korrupsionit, mashtrimit dhe maskarallëkut.
Mbrëmë i bëra një thirrje çdokujt, duke përfshirë edhe ata deputetë të së majtës që kanë një fije ndërgjegje dhe një fije kurajo, që ashtu si shqiptarët vranë frikën dhe u bashkuan të vijnë këtu në këtë parlament të vërtetë, të mos rrinë në strofullën e krimit, të mos i bëjnë fresk krimit, të mos bëhen pjesë e parlamentit fasadë dhe e demokracisë fasadë. Kjo thirrje qëndron”, tha Basha.

Gjashtë ditë nga protesta e opozitës

Kryetari i PD, Basha deklaroi sërish dje nga sheshi i protestës se, opozita nuk do të tërhiqet për asnjë moment nga protestat deri në fitoren e plotë të qëllimit për të bërë vendin me zgjedhje të lira.
“Sot është një ditë e madhe për Shqipërinë jo vetëm sepse për të gjashtën ditë radhazi shqiptarët protestojnë pa pushim nga ky shesh i lirisë, por sepse anembanë vendit, frika po vritet, njerëzit po bashkohen, kurajo qytetare po ngrihet në nivele të papara e të padëgjuara që prej revolucionit demokratik të vitit 1990.
Kjo është një lëvizje e madhe popullore, është një lëvizje e madhe kombëtare, kjo është mbi të gjitha lëvizja juaj të nderuar qytetarë dhe qytetare të Shqipërisë. Dhe Partia Demokratike ka nderin të jetë pjesë, të jetë në ballë të kësaj lëvizjeje dhe të mos ju lërë në baltë, deri në përmbysjen e republikës së krimit, deri në përmbysjen e republikës së korrupsionit dhe ndërtimin së bashku të një republike të vërtetë demokratike të qytetarëve shqiptarë.
Kjo nis me zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për këtë nuk ka e nuk do të ketë asnjë kompromis, për këtë nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë negociatë, qeveri teknike ose populli do të qëndrojë këtu e do të përballet deri në largimin e qeverisë së bërë njësh me krimin.
Parlamenti i shqiptarëve, parlamenti i qytetarëve është këtu. Parlamenti i pastruar nga kriminelët dhe që i shërben me zërin e vet me vendimet e veta qytetarëve, është këtu. Atje është vetëm shtëpia e krimit. Në shtëpinë e krimit ka vetëm deputetë kokulur dhe deputetë që i shërbejnë fasadës. Në shtëpinë e lirisë çdo qytetar është përfaqësues sovran i popullit të vet dhe interesave të tij. Ndaj le ta kenë të qartë të gjithë ata që nuk e kanë dëgjuar zërin e popullit se tërheqje nuk do të ketë. Se nuk do të ketë asnjë hap mbrapa, se, ditë për ditë, ne do të avancojmë deri në fitoren e plotë të kauzës qytetare për zgjedhje të lira dhe të ndershme përmes largimit të kësaj qeverie dhe vendosjes së një qeverie tjetër që i garanton ato. Ditë për ditë shqiptarët po bashkohen”, tha Basha.

Kapja e drejtësisë, Rama-Meta, 29 kandidatë për 27 vende

Institucionet e reja të drejtësisë do të jenë nën kontrollin e plotë të mazhorancës. Kryetari i PD, Basha bëri të qartë se skema e re që kërkohet të votohet me imponim është kapja e drejtësisë nga Rama dhe Meta, të cilët në aleancë me njëri-tjetrin kanë arritur pazarin për të emëruar njerëzit e tyre në postet kryesore të drejtësisë. Nga 27 kandidatura në të tilla poste, Rama dhe Meta kanë paraqitur 29 të emëruar të tyre.
“Nga ky shesh dua t’ia bëj fare të qartë atyre dhe çdokujt që mund të ketë gënjyer. Partia Demokratike e bëri detyrën e vet në Parlament. Ne e mbaruam detyrën tonë dhe jemi krenarë për ndryshimet kushtetuese që i hapën rrugë një drejtësie të pavarur që nuk mbron, por lufton krimin dhe korrupsionin. Ishin ata që përjashtuan opozitën nga 7 ligjet duke thyer premtimin që dhanë përballë partnerëve tanë euroatlantikë. E përjashtuan me qëllim që të kapin institucionet e reja të drejtësisë. Sot, për këto institucione të reja të drejtësisë, kjo mazhorancë që e ka frikë reformën në drejtësi propozon 29 kandidatë për 27 pozicione. Pra, nuk ka zgjedhje, ka emërime. Edi Rama dhe Ilir Meta duan t’i emërojnë vetë në vend që të lejojnë zgjedhjen e më të mirëve, e më të aftëve, më të pakorruptuarve për të ndërtuar drejtësinë që duan shqiptarët. A mund ta pranojmë ne këtë?! A mund të pranoni një drejtësi të kapur nga Edi Rama?! Kujt i shërben një drejtësi e kapur nga Edi Rama?!”.
Basha ka kërkuar korrigjim të 7 ligjeve në frymën e reformës të votuar me konsensus më 22 korrik në Parlament dhe jo në mënyrë të njëanshme.
“Kurrsesi nuk mund ta pranojmë, por nëse në të vërtetë janë ata që nuk kanë frikë nga Vettingu, ju them që menjëherë pas paktit për një qeveri të vullnetit të mirë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe pas korrigjimit të 7 ligjeve sipas vërejtjeve konsensuale të opozitës, urdhëroni ta bëjmë vettingun e të shohim kush ka frikë nga drejtësia e pavarur. Kush ka frikë nga gjyqtarët dhe prokurorët e pakapur?! Ata që e kanë lidhur fatin e tyre me bandat?! Ata që kanë vjedhur dhe shpërdoruar qindra e miliona euro në çdo sektor apo opozita që e ka lidhur fatin e saj me fatin e qytetarëve shqiptarë?! Partia Demokratike do ta votojë dhe do ta çojë përpara reformën në drejtësi, por vetëm sipas përcaktimeve europiane të Kushtetutës së Shqipërisë, sipas votës historike të 22 korrikut. Ne do ta hapim këtë rrugë bashkë me qytetarët shqiptarë. Nëse nuk tremben nga drejtësia e pakapur le t’i hapin rrugë qeverisë teknike, le të ndryshojmë së bashku 7 ligjet që i bënë përshesh për të kapur drejtësinë dhe ne do të na kenë aty dhe bashkë me qytetarët shqiptarë do ta zgjidhim çështjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe çështjen e drejtësisë së vërtetë për qytetarët shqiptarë”, tha Basha.

Marshi epik i banorëve të Zharrëzit

Kryetari i PD, Basha ka përshëndetur marshin epik të banorëve të Zharrëzit, të cilët janë nisur në këmbë drejt Tiranës me qëllim që zëri i tyre i revoltës të dëgjohet pas një periudhe të gjatë censure.
“Dua të përshëndes sot në mënyrë të veçantë marshin epik të banorëve të Zharrëzit, të cilët po i afrohen ora-orës Tiranës, po i afrohen ora-orës sheshit të lirisë, parlamentit të qytetarëve shqiptarë, do t’i mirëpresim këtu këta njerëz të vuajtur, këta njerëz të nëpërkëmbur të zhvatur dhe të goditur rëndë nga arroganca, nga korrupsioni dhe papërgjegjshmëria e kësaj qeverie. Por, do të mirëpresim kështu çdo qytetar që niset të bashkohet me këtë parlament të shqiptarëve, me këtë aulë dhe agorë të vërtetë të demokracisë shqiptare”, tha Basha.
Basha ka përshëndetur edhe protestën e qytetarëve të Durrësit që janë ngritur kundër mafies së betonit të Gjushit në Durrës. “Dua të përshëndes të gjithë qytetarët e Durrësit, të cilët e kanë përdorur këtë parlament të vullnetit popullor sot për të denoncuar me fakte, për të denoncuar dhembjen e madhe që ky qytet ndjen. Sepse ka rënë peng i bandave, ka rënë në mëshirën e bandave, të cilat kanë emëruar në krye të punëve Vangjush Dakon, si përfaqësues dhe si menaxher të aferave të pista të krimit të organizuar.
E kanë emëruar bashkë me Edi Ramën për t’iu shërbyer interesave të tyre dhe prandaj sot Durrësi është një qytet ku papunësia është ndër më të lartat në Shqipëri. Prandaj Durrësi sot është një qytet ku shëndetësia është përtokë. Prandaj Durrësi është sot një qytet ku nxënësit studiojnë në kushte të mjerueshme, ku ndihma ekonomike i jepet vetëm një numri shumë të vogël familjesh, ndërkohë që mijëra të tjera që kanë nevojë për këtë ndihmë, nuk e marrin. Është një qytet i mbifaturuar, i shkatërruar me këto gjoba energjie e uji. Është një qytet tipik i menaxhuar nga mafia, ku miliona euro beton hidhen për fasada, ndërkohë që qindra mijëra familjarë, çifte të reja nuk marrin dot kredi për strehim social. Të gjitha këto janë derivat i zgjedhjeve të shkatërruara të vitit 2015 ku Vangjush Dako me bandat mori Durrësin.
Ja çfarë ndodh kur kapen zgjedhjet, ja çfarë ndodh kur krimi dikton zgjedhjet. Kjo është një orë e madhe e zgjimit kombëtar, është një orë zgjimi për Durrësin, është një orë zgjimi për gjithë Shqipërinë, është një vendim i pakthyeshëm. Kurrë më zgjedhje të kapura dhe të prishura nga krimi! Kurrë më zgjedhje me bandat! Vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme që nisin me largimin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij të inkriminuar e të korruptuar. Nisin me një pakt të madh kombëtar, për një qeveri të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha Basha.

Enton DACI

Artikulli paraprakMarshimi i banorëve të Zharrëzës, e afera 557 milionë euro e Ramës
Artikulli tjetërBankers Petrolium, një histori me Soros dhe korrupsion qeveritar!