Paratë e drogës nga Shqipëria tek terrorizmi

Drejtori i Antimafias italiane, Franco Roberti ka lëshuar një deklaratë të fortë dje në Tiranë, gjatë takimit me prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Në konferencën e përbashkët për shtyp kreu i Antimafias italiane deklaroi se, me paratë e trafikut të drogës po financohen organizatat terroriste.  Kreu i Antimafias italiane tha se, për të luftuar këtë fenomen dhe për të bashkëpunuar në kohë reale me Prokurorinë për Krime të Rënda, Antimafia  italiane ka deleguar në Ministrinë e Drejtësisë në Shqipëri një gjyqtar magjistrat, i cili do të asistojë e ndihmojë në luftën kundër krimit të organizuar dhe për të rritur bashkëpunimin mes prokurorive.
“Interes për të bashkëpunuar është treguar edhe në nominimin e një gjyqtari pranë Ministrisë së Drejtësisë, interesi ynë ishte se si mund të përmirësohej bashkëpunimi për të luftuar trafikun e lëndëve narkotike, duke qenë se ishim të bindur, ashtu siç më vonë edhe e verifikuam, që ishte diçka më shumë se sa një hipotezë investigative, që një pjesë e fitimeve të paligjshme të aktiviteteve të trafikut të lëndëve narkotike financojnë aktivitete terroriste”, tha kreu i Antimafias italiane.
Kreu i Antimafias italiane tha se, për drogën shqiptare ka kërkesë të madhe në tregun italian për shkak të çmimit të ulët dhe afësisë mes dy brigjeve. “Trafikimi i lëndëve narkotike ka ardhur në rritje në vitet e fundit, mes Shqipërisë dhe Italisë. Kemi nevojë që bashkë me kolegët shqiptarë të kuptojmë se cili është motivi i rritjes së këtij trafiku dhe në të njëjtën kohë çfarë mund të bëjmë për të përmirësuar strategjitë dhe bashkëpunimin. Interesi ynë është të bashkëpunojmë për të gjetur mënyra për të luftuar trafikun. Prokurorët e Vlorës dhe të Krimeve të Rënda na kanë konfirmuar se prodhimi dhe trafiku i drogës që është kultivuar në Shqipëri është trefishuar. Arsyet janë dy: rritja e kërkesë ofertës, si dhe është më ekonomike të marrësh lëndë narkotike nga Shqipëria, pasi është më afër se vende si Maroku. Në Itali, luftohet gjithnjë e më tepër që në fazën e kultivimit, ndërkohë në Shqipëri nuk ndodh kështu”, deklaroi kreu i Antimafias italiane.
Lidhur me korrupsionin dhe paratë “e pista”, kreu i Antimafias italiane vërejti se në Itali janë bërë me qindra arrestime për të luftuar korrupsionin: “Ne kemi bërë me qindra arrestime, për të luftuar korrupsionin. Prokuroria italiane bën shumë sekuestrime. Të gjithë zyrtarët që kanë pasur lidhje me organizatat kriminale janë arrestuar”, theksoi ai. “Italia ka treguar interes për të bashkëpunuar dhe në nominimin e një gjyqtari pranë Ministrisë së Drejtësisë. Interesi jonë është të verifikojmë si mund të bashkëpunojmë dhe luftojmë trafikun”, shtoi ndër të tjera kreu i Antimafias italiane.
Edhe prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, shprehu nevojën e rritjes së këtij bashkëpunimi, pasi edhe sipas tij, është trefishuar edhe sasia e drogës që kultivohet në Shqipëri. Llalla deklaroi se ka disa raste të sekuestrimit të pronave dhe shumë procedime penale. Më tej, ai foli për dy prokurorët e pezulluar dje, duke thënë se ka dyshime se janë përfshirë në vepra penale.
Kryeprokurori Llalla kërkoi forcim të bashkëpunimit për të ndalur trafikun dhe për të sekuestruar pasuritë që vijnë nga droga. “Kemi disa raste të sekuestrimit të pronave dhe shumë procedime penale. Falënderim të veçantë për Gjykatën e Lartë, që dha një vendim të drejtë për autorët e masakrës së Vlorës. Ka dyshime se dy prokurorët e pezulluar sot janë përfshirë në vepra të ndryshme penale. Do të hetohen”, tha kryeprokurori Llalla.
Për rreziqet që vijnë nga trafiku i drogës foli edhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë Bernd Borschardt. Në një intervistë për emisionin ‘Tonight’, në ‘Ora News’, duke ju referuar përhapjes së fenomemit të kultivimit të drogës vitin e kaluar, ai foli për më shumë se 2 miliardë euro para të pista në qarkullim nga ky aktivitet, duke u shprehur se, “ekziston rrisku se këto para mund të përdoren për të blerë deputetë”.

R.POLISI

Artikulli paraprakMbështetje amerikane për kauzën e zgjedhjeve të lira
Artikulli tjetërBasha: Përmbysje e kastës së krimit dhe korrupsionit