Një 61-vjeçar ka terrorizuar sot kryeqytetin, pasi tentoi të hidhej nga vinçi pranë një kulle tek Kisha Ortodokse në Tiranë. Bëhet e ditur se shtetasi Xhemal Zhuri kërkoi këstin e 6. Ai kërcënoi për rreth 60 minuta se do të hidhej nga një lartësi e madhe, duke bërtitur me të madhe se: “Dua lekët e mia”.
Ndërkohë, burime nga policia thanë se, personi në fjalë ishte një ish-i persekutuar që bënte një veprim ekstrem në shenjë protestë për mosmarrjen e dëmshpërblimit për vitet e burgut. Pasi është ngjitur në majë të vinçit, ai ka nisur të heqë rrobat. Fill pas kësaj, ai ka marrë edhe një flamur kuq e zi, të cilin ka nisur ta valëvis nga lartësia mbi 100 metër. Pas 1 ore në majë të vinçit, Zhuri ka zbritur nga lartësia.
61-vjeçari është një personazh i njohur për aksione të tilla dhe protesta, ndërsa kishte bërë 10 vite burg gjatë kohës së regjimit komunist. Ai ka tentuar edhe dy herë të tjera të hidhet nga lartësia, (2012 dhe 2015) ku dy vite më parë po nga ky vinç.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale duket momenti kur burri ngjitet në lartësi, ndërsa ai herë pas herë tentoi të kryente aktin ekstrem. Sakaq, poshtë kësaj kulle u mblodhën shumë qytetarë, të cilët shohin skenën të tmerruar si dhe kishte forca të shumta policore.
“Rreth orës 16:30, në rrugën “Ibrahim Rrugova”, përballë Kishës Ortodokse, tek një pallat në ndërtim ka hipur në vinç, shtetasi Xh. Zh., 61 vjeç, i cili tenton të hidhet, pasi nuk ka marrë këstin e gjashtë të parave, si i persekutuar politik. Policia në vendin e ngjarjes po negocion për të bërë të mundur zbritjen e tij”, thuhet në njoftimin e policisë.