Lalla shkarkon dy prokurorë, tentuan të lirojnë autorin e 3 vrasjeve

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla pezulloi nga detyra drejtoren e Drejtorisë Gjyqësore, Alma Muça dhe prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme, Artur Selmani, si edhe urdhëroi nisjen e hetimit ndaj tyre, për shkak të qëndrimit të dyshimtë që është mbajtur në Gjykatën e Lartë. Ata kanë tentuar t’i heqin akuzat të dënuarit me burg përjetë, Aleksandër Llanaj.
Në Gjykatën e Lartë po shqyrtohet rekursi për ngjarjen e rëndë në Vlorë, ku mbeten të vrarë tre të rinj në lokal Ador, në vitin 2015. Prokuroria e Vlorës dhe ajo e Apelit kanë gjetur mbështetjen e Gjykatës, duke dënuar me burgim të përjetshëm, autorin Llanaj dhe nga 35 vite burg dy personat e tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Por avokatët e autorëve kanë bërë rekurs në Gjykatën e Lartë. Gjatë shqyrtimit të rekursit, prokurori i çështjes, Artur Selmani, jo vetëm që nuk ka mbështetur qëndrimet e mëparshme të Prokurorisë, por ai ka kërkuar pushimin e akuzave shumë të rënda, për të cilët të pandehurit ishin dënuar maksimalisht në dy shkallët e gjyqësorit në Vlorë. Për këtë qëndrim të dyshimtë, prokurori Selmani pretendon se e ka diskutuar me drejtoren e Drejtorisë Gjyqësore, Alma Muça.
Prokurori i Përgjithshëm, i vënë në dijeni për situatën ka urdhëruar menjëherë pezullimin e tij dhe të drejtorit, Alma Muça, si edhe ka urdhëruar nisjen e hetimit për veprat penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve dhe prokurorëve….” Dhe “Shpërdorim detyre”, me qëllim për të zbuluar shkaqet e këtij qëndrimi.
Gjithashtu, pjesë e penalizimit administrativ dhe hetimit penal janë edhe ndihmësit gjyqësorë, të cilët kanë përgatitur relacionin për prokurorin.
Bëhet fjalë për ngjarjen e rëndë që ndodhi në lokal “Ador”, lagjia  “Çole” në Vlorë. Aleksandër Llanaj është autori i vrasjes së 3-fishtë, i dënuar në shkallën e parë me burg përjetë. Ndërsa ndihmësit e tij Ani Begaj dhe Bertil Alliaj u dënuan në mungesë me nga 35 vjet burg secili. Gjatë një konflikti me armë, të ndodhur më 7 Prill 2015 mbetën të vrarë 29-vjeçari Haki Rakipi, 28-vjeçari Alfred Velaj si dhe Albi Limaj, 28 vjeç.
Ngjarja ndodhi pas një konflikti mes dy grupeve për një femër. Të gjithë personat e përfshirë në vrasje ishin të njohur për policinë, ndërsa tre viktimat ishin me precedentë penalë në Shqipëri dhe në Spanjë për prostitucion.

Artikulli paraprakMasakra e Çoles, Gjykata e Lartë lë në fuqi vendimin e Apelit
Artikulli tjetërFaqja e pare