Rama-Dako po shkatërrojnë Durrësin si ISIS Palmiran

Dita e gjashtë e protestës në çadrën e Lirisë u bë arena e bashkëbisedimit mes qytetarëve, aktivistëve të Shoqërisë Civile dhe të zgjedhurve vendorë, të cilët ringritën shqetësimin për ndërtimin në Durrës mbi vepra arkeologjike me vlerë historiko-kulturore. Kryetari i PD, Lulzim Basha i ftoi të gjithë të shprehin problemet dhe mendimet e tyre në atë që e quajti: Parlamenti i qytetarëve.
Flamur Pala, aktivist i Shoqërisë Civile e quajti ndërtimin në sheshin “Veliera” si problem i të gjithë shqiptarëve e jo vetëm durrsakëve. “Mbi dritën e diellit po bëhet një shkelje nga kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako. Nuk na duhet një velë betoni 2000 metra katrorë, ndërkohë që Durrësi po qelbet nga mbeturinat dhe ujërat e zeza dhe mungesa e infrastrukturës. Zgjedhjet e lira që ne kërkojmë sot shpëtojnë çdo shqiptar. Vota e lirë i shërben të ardhmes tonë”, u shpreh ai.
Për Ardian Mukën, urbanist dhe anëtar i Këshillit Bashkiak, ndërtimi në Durrës vjen për shqiptarët si shkatërrim në tri plane. “Shkatërrim në plan arkeologjik, shkatërrim i planit historiko-kulturor dhe në planin urbanistik. Në Durrës, kryebashkiaku Dako ka shkelur dy vendime të Këshillit të Ministrave, sepse po ndërton në zonën A dhe B, të cilët konsiderohen të mbrojtura dhe ndërtimi mund të bëhet vetëm me monitorim të rreptë. Ndërkohë për sheshin ‘Veliera’ gërmimet bëhen me fadroma dhe eskavatorë, duke shkatërruar qytetin, arkeologjinë dhe ekonominë e qytetarëve”, tha Muka.
Vaso Papaj, arkitekt, e quajti gropën e gërryer në Durrës si gropën politike të Vangjush Dakos. Sazan Guri i cilësoi qytetarët pjesëmarrës në bashkëbisedim si qytetarë europianë. Duke iu referuar vendimit të Gjykatës Administrative për pezullimin e menjëhershëm të punimeve në sheshin “Veliera” në Durrës, Guri problemin e sheh jo në plan emrash nominalë, por në rang institucionesh. “Si mundet një institucion të shkelë dokumentet e shtetit? Kemi ardhur këtu të formojmë një epokë të re më të madhe se vettingu. Shoqëria Civile mund t’i nisë protestat, por vetëm ju, të zgjedhurit, mund t’i çoni deri në fund”, tha Sazan Guri.
Aulon Kalaja aktivist, kujtoi për qytetarët protestat e organizuara nga Shoqëria Civile kundër shkatërrimit të historisë dhe arkeologjisë në Durrës, të dështuara për shkak të presionit qeveritar. “Sheshi dhe rruga i takon qytetarëve. Rama të heqë dorë njëherë e përgjithmonë nga betoni. Edhe një thirrje për të gjithë ju këtu. Peshku qelbet nga koka”, tha Kalaja.
Për Lorisa Yllin, aktiviste e Shoqërisë Civile, trokitja në dyert e institucioneve për të gjetur drejtësi për këtë shkatërrim që po ndodh ka qenë e pavlerë. “Rama flet për Vetting, ndërsa vendimi i Gjykatës Administrative për ‘Velierën’ po shkelet. Kush ka të drejtë të mbrojë vendimin e Gjykatës? Ajo është detyrë e shtetit”, u shpreh Lorisa Ylli.
Basha theksoi se, rëndësia e votës së lirë dhe të ndershme përforcohet me shembullin e Durrësit. Durrësi sot është një qytet ku shëndetësia është përtokë, ku nxënësit studiojnë në kushte të mjerueshme, ku ndihma ekonomike i jepet vetëm një numri shumë të vogël familjesh, ndërkohë që mijëra familje që kanë nevojë për këtë ndihmë, nuk e marrin. Të gjitha këto, janë derivat i zgjedhjeve të shkatërruara të vitit 2015, ku Vangjush Dako me bandat mori Durrësin. Ja çfarë ndodh kur kapen zgjedhjet. Kjo është një orë e madhe e zgjimit kombëtar, është një orë zgjimi për Durrësin, është një orë zgjimi për gjithë Shqipërinë, është një vendim i pakthyeshëm”, tha Basha.
Për masakrën që po bëhet në Durrës foli tek çadra e Lirisë edhe ish-Kryeminsitri Berisha. ”Sot ka dy vende në botë ku shkatërrohet, ku betonohet, ku minohet trashëgimia kulturore, arkeologjia, historia; është Durrësi/ është Palmira, është ISIS,/është Edi Rama, është ISIS në Siri dhe është Edi Rama në Durrës”, u shpreh ai.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërPaloka: Disa ndërkombëtarë u tërhoqën nga reforma zgjedhore