Kreu i Antimafies italiane: Trafiqet mes Italisë dhe Shqipërisë janë shumëfishuar

Drejtori i Antimafies në Itali, Franco Roberti, i cili ndodhet sot në Tiranë, deklaroi paradite se, kultivimi i drogës në Shqipëri është 3-fishuar. Ndërkohë, në një intervistë për “Top-Channel”, Roberti thotë se, tashmë shqetësim është grumbullimi i parave të drogës, riciklimi i tyre dhe përdorimi për qëllime të tjera. Kreu i Antimafias italiane shprehet se, vitet e fundit trafiqet mes Italisë dhe Shqipërisë janë shumëfishuar.
-Zoti prokuror, cili është qëllimi i vizitës tuaj kësaj radhe në Shqipëri?
Kemi konstatuar që vitet e fundit trafiqet mes Italisë dhe Shqipërisë janë shumëfishuar, janë rritur në mënyrë eksponenciale. Atëherë donim të kuptonim me kolegët shqiptarë shkaqet e kësaj rritjeje eksponenciale të trafiqeve të drogërave, veçanërisht të marijuanës dhe në vazhdimësi të kuptonim se çfarë duhet bërë më shumë dhe më mirë për të luftuar këtë fenomen.
– Pyetja ime e dytë është e dyfishtë, a arritët të kuptonit cila është arsyeja dhe çfarë do të bëjnë dy prokuroritë për këtë?
Shkaqet janë të shumta, mbi të gjitha rritja e kërkesës së drogës nga ana e Italisë drejt Shqipërisë, që ndjek një vlerësim ekonomik të krimit të organizuar italian, i cili gjykon se është më e leverdisshme nga ana ekonomike që, në vend që t’i kultivosh në Itali plantacionet e marijuanës ose në disa vende të tjera kultivuese siç mund të jenë vendet e Afrikës së Veriut, vlerëson se është më e leverdisshme t’i drejtohesh Shqipërisë.
Natyrisht, kësaj kërkese italiane për shërbime kriminale i ka korresponduar një rritje e ofertës nga ana e kriminalitetit shqiptar, atëherë është krijuar kjo lidhje perverse, që duhet përballuar, përmbajtur dhe luftuar në mënyrë efikase. Për të bërë këtë kemi verifikuar që rruga më e mirë është mbi të gjitha ajo e skuadrave hetimore të përbashkëta.
Por natyrisht, është edhe pjesa e korrupsionit. Lufta ndaj korrupsionit është një luftë ndaj krimit të organizuar, sepse krimi i organizuar përdor korrupsionin, si në Itali ashtu dhe në Shqipëri, për t’u infiltruar në institucione, në forcat rendit, forcat e policisë dhe deri në gjykata në disa raste.

Artikulli paraprakLubonja: Largim i Ramës dhe krimit
Artikulli tjetërShkelet kontrata e Masterplanit Tirana 2030