Ndaj Fiorentinës, mundësia e fundit për Ajetin

Sikur të mos e detyronin rrethanat, Sinisa Mihajloviç vështirë se do t’i krijonte hapësira Arlind Ajetit. Mbrojtësi nuk ka arritur të shfrytëzojë në maksimum ato që i janë dhënë, duke kombinuar paraqitje bindëse me gabime të dukshme, por trajneri ka lënë të kuptohet se për të nuk është zgjedhje e parë.
Megjithatë, rastësia e do që Mihajloviç të jetë i detyruar të kthejë sytë vazhdimisht nga Ajeti. Torino po vuan një krizë të mirëfilltë dëmtimesh që ka prekur me radhë thuajse të gjithë repartin e prapavijës dhe Ajeti, është ndër të paktët qendërmbrojtës që mund të luajnë këtë javë.
Ai nuk zbriti në fushë një javë më parë, përballë Romës, pasi vuante një problem të vogël muskulor, të cilin duket se e ka lënë pas dhe është në gjendjen më të mirë. Por sipas mediave italiane, Mihajloviç është gati t’i japë një tjetër mundësi mbrojtësit shqiptar për të treguar vlerat e tij në ndeshjen e të hënës kundër Fiorentinës.
Tekniku nuk dëshiron të kthejë në qendër De Silvestrin, siç bëri me Romën pasi gjërat nuk shkuan siç parashikohej dhe ekipi i tij u tregua shumë i brishtë në prapavijë. Ndaj ky do të jetë shansi i artë i Ajetit, i cili duhet të dhurojë një paraqitje bindëse, për t’u mbyllur gojën kritikëve dhe për të treguar se nuk ishte rastësi që përfundoi te Torino.

Artikulli paraprakDe Biazi tifo për Juventusin
Artikulli tjetërRuni nuk i do milionat kineze: “Do të rri të ndihmoj ekipin”!