Është hedhur ditën e djeshme në Nion të Zvicrës shorti për fazën e 1/8-ve të Ligës së Europës. 16 skuadrat e mbetura akoma në garë kanë mësuar rivalët e tyre me të cilët do të përballen në datat 9 dhe 16 mars. Anglezët e Mançester Junajtidit do të kenë një përballje relativisht të lehtë ndaj rusëve të Rostov, ndërsa italianët e Romës do të duhet të djersitin shumë për të kaluar në çerekfinale, duke qenë se përballë do të kenë francezët e Lionit.
Shorti përcaktoi gjithashtu dy përballje mes skuadrash të të njëjtit shtet, teksa gjermanët e Shalkes dhe Mynshengladbahut do të ndeshen bashkë, njësoj si belgët e Gentit dhe Genkut. Një tjetër përballje me shumë rivalitet do të jetë ajo mes kampionëve të Greqisë dhe atyre të Turqisë, Olimpiakosit dhe Beshiktashit. Këta janë çiftet e shortit të plotë: Celta Vigo-Krasnodar, Apoel-Anderlecht, Lyon-Roma, Rostov Manchester United, Schalke-M’gladbach, Olympiacos-Besiktas, Gent-Genk dhe Ajax Copenhagen.
Ndeshjet e orës 21:00 në Europa League dhuruan rezultate surprizë, me disa emra të mëdha që i japin lamtumirën kompeticionit. Kështu, Tottenhami barazoi 2-2 me Gentin me skuadrën belge që kishte fituar 1-0 në shtëpinë e saj. Në stadiumin “Wembly” të Londrës, Eriksen entuziazmoi tifozët vendas që në minutën e 10-të, por në të 20 Mitroviç në tentativë për të larguar topin me kokë shënoi në portën e tij. Kartoni i kuq Delle Alit në fund të pjesës së parë ishte një goditje e rëndë për skuadrën e Pochetinos, që gjithsesi në inferioritet numerik shënoi golin e 2-1 me Wanyama në të 61-ën, por në të 82, Perbet i dha kualifikimin skuadrës belge.
Zhgënjen Fiorentina, që u mposht 2-4 nga Borussia e Moenchengladbahut në Artemio Franchi. Golat e Kaliniç dhe Borja Valero dhanë përshtypjen e një kualifikimi të lehtë për skuadrën vjollcë, por Stindl në fund të pjesës së parë me 11-metërsh dhe me dy gola të tjerë në pjesën e dytë, të cilëve iu shtua edhe rrjeta e Christensen përmbysën gjithçka, me Gladbahun që kualifikohet me rezultat të përgjithshëm 3-4.
Lyoni turpëroi Alkmarin edhe në takimin e kthimit me rezultatin e thellë 7-1 dhe me rezultat të përgjithshëm 11-2. Për skuadrën franceze realizoi një tregolësh Fekhir, ndërsa listës së golashënuesve iu shtuan Cornet, Darder, Aouar dhe Dyakhaby. Golin e vetëm për Alkmarin e realizoi Garcia.