Një karburant në aksin rrugor Korçë-Kapshticë është grabitur mëngjesin e djeshëm nga 4 persona të armatosur. Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur në afërsi të fshatit Dishnicë në orët e para të mëngjesit. Bëhet e ditur se, grabitja është kryer nga 4 persona të armatosur dhe të maskuar, të cilët kanë mbërritur në afërsi të karburantit me një makinë. Fillimisht kanë dhunuar fizikisht rojen e karburantit dhe më pas janë ngjitur në katin e dytë të godinës, ku ndodhej edhe kasaforta.
Nuk dihet ende shuma e grabitur në pikën e karburantit, por mësohet se grabitësit, pasi kanë dhunuar punonjësin e objektit, janë ngjitur në katin e dytë për te kasaforta. Grabitësit, pasi kanë marrë paratë janë larguar nga vendngjarja. Roja ka njoftuar policinë dhe forcat e policisë janë vënë në ndjekje të grabitësve të armatosur. Policia u ka kërkuar atyre të ndalojnë, por ata kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të policisë.
Mësohet se për disa çaste ka patur shkëmbin zjarri mes forcave të policisë dhe 4 grabitësve, të cilët kanë arritur të largohen me një automjet. Dyshohet se autorët kanë grabitur një shumë të madhe parash, ndërsa policia ende nuk ka mundur të zbulojë dhe arrestojë autorët.