4 muaj pas konstituimit të 61 bashkive të reja, bashkëpunimi me qeverinë konsiderohet i vështirë, teksa vendorët ende nuk po arrijnë të shfrytëzojnë kapacitetet për uljen e papunësisë dhe zhvillimin ekonomik të zonave që mbulojnë, ndërsa të ardhurat janë të kufizuara për shkak të boshllëkut që është krijuar nga heqja e taksës së biznesit të vogël.
Ky është një ndër konkluzionet e konferencës “Mirëqeverisja lokale për rritje ekonomike e punësim”, organizuar nga Global Opportunities Albania dhe me mbështetjen e Fondacionit Hanns Seidel Stiftung. Një aktivitet që pason disa tryeza diskutimi me bashkitë kryesore në vend, ku u evidentuan problematika të shumta jo vetëm me mungesën e fondeve, por edhe në funksionimin e bashkive të reja në raport me qytetarët.
“Ne jemi të kufizuar në të ardhurat tona. Nuk e kemi më taksën e biznesit të vogël. Ne nuk kemi një listë të pasurive të paluajtshme që t’i kërkojmë qytetarit taksën. Kjo nuk mund të realizohet nëse nuk ka bashkëpunim me qeverinë qendrore dhe është problem për të gjitha bashkitë”, është shprehur Qemal Cejku, sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë së Kamzës. Ai shtoi se në këtë bashki, papunësia vlerësohet në 50%, ndërsa pesha e sektorit bujqësor, që garantonte deri pak vite më parë pjesën dërrmuese të të ardhurave të qytetarëve ka rënë ndjeshëm, edhe për faktin se nuk ka më tokë në dispozicion të bujqësisë, pasi po përdoret për truall.
“Rreth 50% e bizneseve në Bashkinë e Kamzës janë në tregti, pasuar nga shërbimet dhe vetëm 33% është aktivitet bujqësor. Ne nuk kemi marrë financime nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve”, deklaron Cejku.
Mungesën e fondeve që ka vështirësuar funksionimin e bashkive e ka theksuar edhe Kastriot Sulka, drejtor i Institutit të Studimeve Ekonomike dhe Sociale. “Burimet kryesore të të ardhurave të bashkive janë taksa e infrastrukturës dhe taksa e pronës. Të ardhurat nga taksa mbi impaktin e infrastrukturës ka rënë ndjeshëm për shkak të bllokimit të lejeve të ndërtimit dhe në këto kushte, bashkitë kanë vetëm taksën mbi pronën që duhet ta rrisin për të siguruar të ardhura”, shprehet Sulka.
Ai argumenton se mundësia e vetme e bashkive për të ulur papunësinë dhe për të siguruar zhvillim ekonomik të zonave janë bizneset sociale. “Pushteti vendor duhet të tregohet mendjehapur dhe të promovojë bizneset sociale, që në thelb fitimin nuk e ndajnë tek aksionerët, por e riinvestojnë ose e përdorin për fusha të tjera. Vetëm në këtë mënyrë mund të ulet varfëria”, shprehet Sulka.
Një tjetër problem i evidentuar nga kontaktet me të zgjedhurit vendorë është mungesa e të dhënave, që janë bazë për krijimin e politikave zhvillimore. “Niveli i të dhënave është i dobët dhe ato merren vetëm kur kërkohen nga autoritetet. Edhe kur janë të dhënat, ato nuk shihen si të dobishme. Problemet që nxjerrin në pah të dhënat dhe që rëndojnë vendorët nuk zgjidhen nga qeveria qendrore dhe shkaku kryesor, janë mungesa e fondeve”, ka deklaruar Elma Tërshana, drejtoreshë ekzekutive e zyrës Observatori.
Përveç mungesës së fondeve, bashkitë e reja kanë problem edhe në raport me qytetarët e tyre. Edhe pse në nëntor të 2015-ës ndryshoi ligji ‘Për të drejtën e informimit”, ku sanksionohet që vendorët kanë detyrimin të informojnë qytetarët mbi çështje që kanë lidhje direkte me ta, si paketa fiskale, buxheti etj., nëpërmjet site on line apo seancave dëgjimore, kjo nuk zbatohet. Kjo bën që transparenca dhe llogaridhënia nga bashkitë të jetë e ulët, së bashku me angazhimin publik në vendimmarrje.
Në fund të vitit të kaluar, qeveria vendosi heqjen e taksës së biznesit të vogël prej 25 mijë lekësh në vit, një fond ky që shkonte direkt në buxhetin e bashkive dhe zinte gati gjysmën e të ardhurave të tyre. Disa bashki janë përpjekur ta kompensojnë këtë mungesë përmes rritjes së tarifave e taksave të tjera.