Ambasadori maltez: Pa zgjedhje të lira, s’ka hapje negociatash

Nëse kushtet e vendosura nga BE nuk zbatohen, atëherë Shqipëria do të humbasë edhe një vit për hapjen e negociatave. Kështu është shprehur ambasadori i Maltës në Shqipëri, vend i cili mban edhe Presidencën e radhës së Këshillit të BE, Godwin Pulis. Ambasadori siguroi se, nëse zgjedhjet do të jenë të lira dhe të ndershme, atëherë Malta do të kërkojë menjëherë hapjen e negociatave për Shqipërinë në shtator, por puna në Parlament duhet të normalizohet. Situata politike në Shqipëri ka shqetësuar komunitetin europian. Ambasadori i Maltës në Shqipëri, vendi që mban Presidencën e radhës së Këshillit të Bashkimit Evropian, Godwin Pulis tha se, nëse Shqipëria nuk plotëson kushtet e Komisionit Evropian, hapja e negociatave do të vonohet edhe me një vit. Godwin Pulis: Jam i shqetësuar për situatën në Shqipëri. Do të ishte për të ardhur keq që tani që procesi i integrimit ka arritur një përmirësim, disa vështirësi mund ta pengojnë. Ne po bëjmë çmos që procesi i negociatave të fillojë këtë vit. Do të doja të shihja dy palët të mbyllur në një dhomë, me dyer të mbyllura dhe të mos dalin pa gjetur një zgjidhje. Fjalët e komisionerit Hahn janë shumë të qarta, duhet të ketë një parlament funksional. Nëse dy palët ulen së bashku dhe gjejnë një zgjidhje që të paktën të ketë zgjedhje të qeta dhe të lira, kjo do të zgjidhte një nga kriteret që komisioneri Hahn e ka vënë si kusht për hapjen e negociatave dhe Malta është e shqetësuar, sepse mund të humbisni një vit për hapjen e negociatave. Zgjidhja e vetme është dialogu. Nëse zgjedhjet janë të lira, atëherë Malta do të shkojë në Bruksel dhe do të këmbëngulë për hapjen e negociatave në shtator. I pyetur nga “Ora News”, nëse do të ketë një ndërmjetësim për dialogun e kërkuar mes palëve, Ambasadori Pulis tha se bëhet fjalë për një çështje të brendshme dhe vetëm nëse të gjitha mundësitë të jenë shteruar, atëherë mund të diskutohet për një ndërmjetësim. “Pse duhet të ketë negociatorë, është një problem i brendshëm, mes jush. Nëse dy palët kanë qasje të njëjtë, nëse e duan Shqipërinë në BE, gjëja e parë që duhet të bëjnë është të zgjidhin gjërat mes vetit. Nëse kjo nuk funksionon, atëherë duhet ta konsiderojmë proçesin e ndërmjetësimit, por jo përpara se të shterojnë zgjidhjet e brendshme”, tha Pulis. Ambasadori tha se komuniteti ndërkombëtar do ta ndihmojë Shqipërinë për të përmbushur kërkesat në mënyrë që të përshpejtohet proçesi i integrimit në Bashkimin Evropian.

Artikulli paraprakShehi: Qeveria duhet t’i trembet vettingut
Artikulli tjetërRrugën e Lumit të Vlorës e ka marrë lumi…