Shokon Enrike!

Fitorja spektakolare me Gijon dhe përmbysja e pozicioneve në kampionat me Barcelonën që merr kreun dhe barazimi i Real Madridit me Las Palmas dolën të gjitha në plan të dytë pasi Luis Enrike i shokoi të gjithë. Trajneri spanjoll njoftoi pas fitores me goleadë se ka vendosur të mos rinovojë kontratën duke mbyllur kështu në fund të sezonit aktual aventurën me Barcelonën.
“Ju bëj me dije të gjithëve se nuk do të vazhdoj pas këtij sezoni me Barcelonën. Është një vendim shumë i vështirë, por i medituar gjatë. Jam krenar për gjithçka kam bërë. Jemi mbledhur me presidentin Bartomeu dhe drejtuesit e tjerë ku u kam bërë me dije vendimin tim. Por premtoj për tifozët, lojtarët dhe drejtuesit se do të impenjohem maksimalisht në 3 muajt e mbetur këtu”, u shpreh Enrike.
Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, ka folur rreth vendimit të Luis Enrikes për t’u larguar nga Barça në fund të sezonit, atëherë kur edhe kontrata i skadon. Ai ka thënë se Barça duhet ta respektojë vendimin e trajnerit Luis Enrike. “Është një situatë pikëlluese, sepse ai është një trajner i mirë, i cili na ka dhuruar sukses. Lojtarët janë të motivuar siç edhe e kemi parë. Kemi gara në të cilat luajmë dhe nesër lojtarët kanë ushtrime, prandaj duhet të punojmë deri në fund të qershorit”, ka thënë ai.
Por ai e shpjegoi se Barça veçse e dinte në verë që Enrike nuk do të vazhdonte më pas një viti. “Duhet ta pranojmë vendimin e tij dhe ta përkrahim atë. Në verë, ai i tha Alber Solerit dhe Robert Fernandezit se ky do të mund të ishte viti i tij i fundit dhe dje ai na e kumtoi lajmin se kishte vendosur tashmë që nuk do të vazhdojë me më ne dhe se ky ishte momenti ideal për ta zbuluar vendimin e tij”, ka shpjeguar ai.
Situata e vazhdimit apo jo të kontratës së Lionel Messit te Barcelona nuk do të ndikohet nga vendimi i trajnerit të klubit Luis Enrike për t’u larguar në fund të sezonit. Messi është në bisedime rreth kontratës së re me klubin që nga fillimi i 2017-s, por nuk ka pasur zhvillime të reja në javët e fundit, ndërsa burime të afërta me lojtarin thonë se largimi i Enrikes nuk do të këtë ndikim në nënshkrimin e kontratës së re të Messit, shkruan Goal.com.
Burimet e njëjta po ashtu thonë se ekipi i Barçës, në krye me Messin, janë shumë komod me Enriken dhe zgjedhja e trajnerit për t’u larguar nga klubi nuk ka asgjë të bëjë me pakënaqësinë e lojtarëve. Luis Enrike i tronditi të gjithë mbrëmë pas fitores së Barcelonës 6-1 ndaj Sporting Gijon, kur njoftoi se në fund të sezonit do të largohet nga klubi.

Artikulli paraprakItalia: Trafiku i mbetjeve, me miratimin e qeverisë shqiptare
Artikulli tjetërLas Palmas ndalon “Los Blancos”