Vendimi i Luis Enriques për t’u larguar në fund të sezonit, ka bërë që në mediat spanjolle të nisin aludimet se cili do të jetë pasuesi i teknikut asturian në stolin e Barcelonës sezonin e ardhshëm. Së fundmi kanë qarkulluar shumë emra, duke filluar që nga Ronald Koeman për të vazhduar me Jurgen Klopp, megjithatë asnjëri prej këtyre dy trajnerëve nuk qëndron në krye të listës së dëshirave të presidentit Josep Maria Bartomeu. Sipas asaj që raporton “AS”, dy emra qëndrojnë mbi të tjerët aktualisht dhe bëhet fjalë për dy trajnerë që drejtojnë në Spanjë. Jorge Sampaoli, tekniku argjentinas i Sevillas pëlqehet shumë nga drejtuesit e Barçës, por nuk qëndron më pas as Ernesto Valverde njeriu që prej vitesh ndodhet në krye të Athletic Bilbaos.
Puna që ka bërë me Sevillan gjatë këtij sezoni ka bindur presidentin e Barcelonës, Josep Maria Bartomeu se Jorge Sampaoli është trajneri ideal për të zëvendësuar spanjollin Enrique. Ish-trajnerit të Kilit i pëlqen shumë të drejtojë një ditë Leo Mesin, ndërkohë që 5-herë fituesit i Topit të Artë në krahun tjetër i pëlqen stili i lojës që aplikon Sampaoli, që është tërheqës dhe shumë agresiv. 56-vjeçari përdor 3 lloje skemash te Sevilla, duke filluar nga 3-3-3-1 për të vazhduar me 4-2-3-1 dhe 4-4-2. Sampaoli është favoriti numër 1 për t’u ulur në stolin e Barçës, pikërisht për shkak të raportit të mirë që ka jo vetëm me Mesin, por edhe Mascheranon dhe brazilianin Neymar. Nëse nuk arrinë dot te Sampaoli, drejtuesit e Barcelonës do të hidhen në sulm për Ernesto Valverden, ndërkohë që më pak shanse kanë për të marrë drejtimin e Barcelonës, asisteni i Luis Enriques, Juan Carlos Unzue dhe holandezi i Evertonit, Ronald Koeman.
Ivan Rakitiç ishte i vetmi që foli pas ndeshjes me Sporting Gijonin në lidhje me lajmin se trajneri Luis Enrike do të largohet nga Barcelona në fund të sezonit. “Trajneri hyri në dhomat e zhveshjes dhe na e komunikoi vendimin e tij. Askush prej nesh nuk dinte gjë, mbetëm të gjithë gojëhapur, sepse nuk e prisnim që ta bënte tani, në këtë moment të sezonit, një komunikim të tillë”, tha Rakitiç.
Mesfushori kroat i katalanasve është befasuar nga ky fakt, ndonëse pavarësisht përplasjeve që pati me të në fillim të sezonit, e falënderon gjithsesi Enriken. “Nuk e di se çfarë mund ta ketë shtyrë trajnerin që të marrë këtë vendim, por pavarësisht disa gjërave që gjithkush mund të ketë kaluar, e gjithë skuadra është me atë, i jemi mirënjohës për punën e bërë në këto tri vite dhe duam që këtë sezon ta mbyllim me sa më shumë fitore e trofe, edhe për ta përshëndetur në mënyrën e duhur”, u shpreh kroati.