Interi do të ketë në dispozicion 150 milionë euro gjatë verës për transferime. “Suning Group” dëshiron ta rikthejë Interin aty ku e ka vendin, në majë të futbollit evropian. Për ta bërë këtë duhen shumë investime dhe duket se kinezët kanë vendosur ta bëjnë një gjë të tillë. Sipas “Tuttosport”, Interi ka shënjestruar tre lojtarë që llogariten më talentet në Serie A, Marco Benassi (Torino), Lorenzo Pellegrini (Sassuolo) dhe Seko Fofana (Udinese). Derisa caku kryesor do të jetë mesfushori i Real Madridit, James Rodriguez. Nga klubi pritet të largohet Ever Banega, derisa mund të fitojnë para edhe nga shitja e Stevan Jovetiç, i cili është i huazuar te Sevilla dhe nuk bën pjesë në planet e Stefano Piolit.
Pronarët e rinj të Suning kanë kthyer entuziazmin, ambicien dhe shumë dëshirë për të fituar te Interi. Por për këtë duhet investuar në merkato, për të përforcuar sa më shumë ekipin, gjë që tashmë te zikaltërit është mëse e mundshme. Sipas mediave italiane, objektivi më i fundit për ekipin milanez është Kevin Strootman, i rikthyer protagonist me Romën, pas ndalesës së gjatë për shkak të dëmtimit. Oferta e Interit në drejtim të verdhekuqve është 40-45 milionë euro, shifër kjo që mund të tundojë jo pak skuadrën e Spallettit.