Dudek: Doja t’i jepja një grusht Benitezit

Ish-portieri i Liverpulit, Jerzi Dudek, për pak sa nuk është përleshur me grushte me ish-trajnerin e tij, Rafa Benitez, në kohën kur ishin në një skuadër. Edhe pse episodi i referohet disa viteve më parë, pas fitores së finales në Ligën e Kampionëve ndaj Milanit, në atë periudhë skuadra angleze bëri histori, duke mundur kuqezinjtë në finalen e Stambollit dhe Dudek, ishte vendimtar, duke pritur penalltinë e Pirlos dhe Shevçenkos.
Por edhe pse Liverpuli ishte në majën e futbollit evropian, situata duket se nuk ka qenë aspak e qetë brenda grupit. Mediat ndërkombëtare së fundmi kanë publikuar një rrëfim të portierit ku tregon mllefin që ka pasur ndaj ish-trajnerit.
“Kam menduar vërtetë t’i jepja një grusht siç më sugjeronte një zë brenda meje, por më pas mendova për pasojat që mund të vinin nga gjesti im. Do më kishin përzënë me siguri, apo do kish qenë një skandal i madh mediatik? Sigurisht, t’i japësh një grusht trajnerit të Liverpulit pak muaj, pasi kishte fituar Champions League nuk do të kishte qenë një begraund i mirë në karrierën time, edhe pse isha shumë i revoltuar, arrita ta mbledh veten”, ka thënë ai sipas të përditshmes italiane “La Gazzetta dello Sport”.
Portieri polak ka rrëfyer më tej se revolta e tij ishte shfaqur, pasi pak muaj pas fitores së trofeut, në ekip erdhën portierë të tjerë dhe ai e gjeti veten si zëvendësues. Ai e tregon Benitezin të ftohtë dhe interesaxhi, por nuk i mohon vlerat e tij si trajner i zoti.

Artikulli paraprakInvestitorët e huaj: Klima e biznesit është përkeqësuar me Ramën
Artikulli tjetërNuk ka hapa fals!