Nishani-Mogerinit: Reforma vetëm mbi baza kushtetuese

Presidenti Bujar Nishani i ka shprehur dje Përfaqësueses së Lartë të BE për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogerini qëndrimin se, Reforma në Drejtësi është një proces që duhet të zhvillohet vetëm mbi baza kushtetuese. Kreu i Shtetit evidentoi se pas propozimit të Komisionit Evropian për Shqipërinë dhe konkluzioneve të Këshillit, janë të qarta fushat prioritare në të cilat vendi duhet të bëjë përparim sa më parë. Presidenti Nishani vuri në dukje se, ndërkohë që Reforma në Drejtësi ka patur një zhvillim pozitiv në dy vitet e fundit, tashmë ka mbërritur në një etapë të rëndësishme që kërkon krijimin e mekanizmave legjitimë, të besueshëm dhe të shëndetshëm për zbatimin efikas të saj. Në këtë kontekst, ai theksoi se është tejet e rëndësishme që ky proces të ecë vetëm mbi baza kushtetuese dhe ligjore, të shmanget politizimi i tij, dhe të inkurajohet gjithëpërfshirja, si garancitë e besueshmërisë tek qytetarët shqiptarë. Kreu i Shtetit shtoi se, Reforma në Drejtësi është e lidhur ngushtë edhe me reforma të tjera si ajo zgjedhore dhe dekriminalizimin e institucioneve dhe administratës publike, pasi të tria këto dimensione lidhen me perspektivën e Shqipërisë dhe të qytetarëve shqiptarë. Duke u ndalur në zhvillimet e fundit në rajon, Presidenti Nishani garantoi se, Shqipëria nuk ndërhyn në punët e brendshme të asnjë vendi tjetër, dhe se do të vazhdojë të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin e rajonit. Ai shprehu shqetësimin e përdorimit të një gjuhe armiqësore ndaj shqiptarëve në Maqedoni për qëllime që lidhen me garën politike në vend. Presidenti theksoi se, Platforma e partive shqiptare në Maqedoni është produkt i vetë këtyre partive, të cilin Shqipëria e mbështet duke e parë në frymën e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, duke mbështetur gjithëherët bashkëjetesën si qytetarë të barabartë ndërmjet të gjitha etnive atje, ashtu sikurse ndjekim parimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

Artikulli paraprakMeta: Vetting vetëm sipas Kushtetutës
Artikulli tjetërKomuniteti shqiptar, protestë në Bruksel për zgjedhje të lira