Venger i mbyll derën Barcelonës

Arsen Venger preferon që të qëndrojë tek Arsenali dhe nuk joshet nga vendi vakant në stolin e Barcelonës prej sezonit të ardhshëm. Trajneri francez është në vitin e tij të fundit të kontratës në “Emirates” dhe emri i tij është përfolur si kandidat për të zëvendësuar Luis Enriken, i cili zyrtarizoi largimin e tij nga “Camp Nou” në fund të këtij sezoni.
“Unë nuk po kërkoj punë në klube të tjera apo punët e personave të tjerë. Unë jam i përqendruar vetëm për të shkuar në nivelin tjetër me Arsenalin dhe përpiqem që të përmirësohemi. Trajnerët e zotë përpiqen gjithnjë që të përmirësojnë skuadrën, shohin çfarë mund të bëjnë më mirë dhe ecin me hapin e kohës. Këtë përpiqem të bëj unë.
Unë kam këtu 20 vite dhe kam pasur disa herë mundësinë për t’u larguar, por nuk mendoj se unë duhet t’ju bind juve se preferenca ime do të jetë gjithnjë Arsenali. Megjithatë, unë jam objektiv dhe mjaftueshëm i qartë për të marrë vendimin e duhur për veten dhe klubin. Edhe klubi është i lirë që të marrë vendimin që dëshiron”, tha 67-vjeçari gjatë konferencës për shtyp përpara ndeshjes me Liverpulin.
Vendimi i Luis Enrikes për t’u larguar në fund të sezonit, ka bërë që në mediat spanjolle të nisin aludimet se cili do të jetë pasuesi i teknikut asturian në stolin e Barcelonës sezonin e ardhshëm. Së fundmi kanë qarkulluar shumë emra, duke filluar që nga Ronald Koeman për të vazhduar me Jurgen Klopp, megjithatë asnjëri prej këtyre dy trajnerëve nuk qëndron në krye të listës së dëshirave të presidentit Josep Maria Bartomeu. Sipas asaj që raporton “AS”, dy emra qëndrojnë mbi të tjerët aktualisht dhe bëhet fjalë për dy trajnerë që drejtojnë në Spanjë. Jorge Sampaoli, tekniku argjentinas i Sevillas pëlqehet shumë nga drejtuesit e Barçës, por nuk qëndron më pas as Ernesto Valverde njeriu që prej vitesh ndodhet në krye të Athletic Bilbaos. Puna që ka bërë me Sevillan gjatë këtij sezoni ka bindur presidentin e Barcelonës, Josep Maria Bartomeu se Jorge Sampaoli është trajneri ideal për të zëvendësuar spanjollin Enrike.

Artikulli paraprakShpërthen La Skala
Artikulli tjetërStrakosha: E dashuroj portën