Walker: Rama, një mashtrues, do shkoj në Tiranë, por nuk e takoj

Dr. Fatmir Terziu

Ish-shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, William G. Walker, i cili njihet për qëndrimet e tij shumë kritike ndaj ecurive politike të pasluftës në Kosovë, drejtoi kritika të ashpra nga Londra në drejtim të Kryeministrit Rama, duke theksuar se “Rama e keqpërdori diasporën në interes të politikave të tij”. Ambasadori Walker, i njohur si miku i shqiptarëve, ishte për të promovuar një projekt të quajtur “Unifikimi i diasporës shqiptare”. Gjatë promovimit të projektit të tij theksoi se “Diaspora mbetet faktor ndryshimi në të gjitha mjediset shqiptare”. “Unë kam këtë mision të bashkoj diasporën dhe jo ta parcelizoj atë sikurse bëri Kryeministri i Shqipërisë, Rama”, theksoi ambasadori Walker, ndërsa zhvilloi një bisedë të përzemërt me një grup të ftuarish në mjediset e restorantit “Poem” të pronarit nga Peja, Ilir Beqiri.
Ish-ambasadori amerikan, William Walker është një figurë e respektuar dhe tepër popullore ndër shqiptarët, në përgjithësi. Reagimi i tij ishte i guximshëm dhe parimor pas masakrës së Reçakut, më 15 janar 1999, të cilën ai e quajti “krim kundër njerëzimit”. Nga bartësi i postit të shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, ai u shndërrua në njeri me merita të jashtëzakonshme për Kosovën dhe për shqiptarët. Kështu, Walker, jo vetëm që fitoi besimin e dashurinë e shqiptarëve. Ai u bë edhe personi që ndikoi në mënyrë të qartë në përcaktimin e rrjedhave që do të merrte historia më e re e Kosovës. Ai u bë para së gjithash dhe një zëdhënës i ndryshimit që bashkësia ndërkombëtare do të bënte në qasjen ndaj Kosovës. Sulmet e NATO-s mbi caqet militaro-ushtarake serbe do të bëheshin kërcënime mëse të besueshme, duke pasur si mbështetje edhe denoncimin që Walker i bëri makinerisë së dhunës së Millosheviçit. Për këto merita ai, më 15 janar 2009, në 10-vjetorin e Masakrës së Reçakut ka marrë nga kryeministri i Kosovës “Medaljen e Artë të Lirisë”, ndërsa është nderuar edhe nga shteti shqiptar: më 24 tetor 2008 është shpallur “Qytetar Nderi i Shqipërisë”. Edhe pas çlirimit të Kosovës, William Walker ka vazhduar lidhjet me Kosovën dhe me shqiptarët. Në vazhdimësi të fjalës e tij, të paanshme, dashamirëse, të ashpër, por edhe të drejtë, ai ka qenë thuajse zë i qartë për realitetin që pas luftës në Kosovë nuk mori rrjedhën e dëshiruar.
Të gjitha këto ishin në mesin e bisedës dhe po kështu në pyetjet e shumta që iu drejtuan atij nga pjesëmarrësit. Duke folur për situatën dhe trajtimin e diasporës, ambasadori ishte mjaft kritik me Samitin e organizuar kohë më parë në Tiranë. Ai tha se, “Samiti ishte organizuar nga z. Rama për benefite politike, sidomos në prag të zgjedhjeve. Unë e kundërshtova Ramën dhe Samitin dhe e refuzova, madje, se e ndjeva që kishte qëllim të tillë, ndarës dhe jo bashkues”. Ambasadori Walker tha se do të udhëtonte në Maqedoni, pastaj dhe në Tiranë, por nuk do të kishte dëshirë të takonte Kryeministrin Rama. Gjithnjë ambasadori Walker dhe në vazhdimësi ka thënë fjalën e tij, të paanshme, dashamirëse, të ashpër, por edhe të drejtë, për realitetin shqiptar. Duhet shtuar se William Graham Walker është një veteran i shërbimit të jashtëm të Amerikës, diplomat, i cili ka shërbyer si ambasador amerikan në El Salvador dhe si kreu i Misionit Verifikues në Kosovë.

Kush është William Walker

Walker është ambasadori amerikan i OSBE që hyri i pari në Kosovë në vitin 1998 dhe zbuloi genocidin serb kundër popullsisë civile shqiptare si dhe ndërkombëtarizoi kauzën e drejt të Kosovës në botë. William Walker bën pjesë në ata diplomatë botëror që është misionar i përjetshëm. Walker dëshmon se diplomacia nuk është biznes sezonal. Diplomacia nuk është një punë kalimtare. Diplomacia nuk është profesion interesash konjukturale. Diplomacia nuk është pjesë e grupeve të motivuara politikisht. Diplomacia nuk është e lidhur me grupet e interesit. Diplomacia është mision. Eshtë një mision i dedikuar për paqen dhe sigurinë në botë. Eshtë mision i përkushtuar për demokracinë. Eshtë misioni i mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut. Eshtë misioni i përpjekjeve për prosperitetin dhe zhvillimin social-ekonomik të popujve. Eshtë misioni i mirëqeverisjes kundër korrupsionit, krimit dhe terrorizmit. William Walker është një nga diplomatët me ndikimin më të madh edhe në SHBA. Walker është një lobues i pashoq. Ndikimi i tij në Qeverinë e SHBA, në korpusin diplomatik të Departamentit të Shtetit, në Kongres dhe Senat, në qarqe publike, mediatike, akademike është shumë i fuqishëm. William Walker bën pjesë në ato që quhen diplomatë universal dhe të përjetshëm. Kosova dhe populli shqiptar dhe liderët e tyre lypet t’i dëgjojnë dhe konsiderojnë shumë seriozisht mesazhet e ambasadorit William Walker. William Walker është ambasador i përjetshëm. Ai mbetet mik i madh i kombit shqiptar. Ai do të ngelet modeli i diplomatit të përkryer. Profesionist, i motivuar, i dedikuar, i vullnetshëm, principal dhe trim deri në sakrificë për arritjen e misionit të tij.

Artikulli paraprakAfera Veliaj 15 milionë euro me koncesionin e Terminalit të ri
Artikulli tjetër“Keni një qeveri të mbushur me kriminelë dhe korrupsion”