“Vendi i Ramës është para drejtësisë dhe pas hekurave”. Basha ka ashpërsuar tonet ndaj kreut të qeverisë duke paralajmëruar se ai nuk lejon zgjedhjet e lira pasi e di se do ti humbasë ato nga vota popullore. “Kjo është arsyeja se përse ai nuk i lejon shqiptarët të votojnë të lirë, sepse e di se pas humbjes në zgjedhje do të dalë para drejtësisë dhe me gjasë do të përfundojë pas hekurave”, tha Basha.
Protesta e opozitës është sot në ditën e 16 të saj, ndërsa qëndresa dhe mbështetja për këtë protestë sa vjen dhe rritet si nga brenda vendit ashtu edhe nga mbështetja ndërkombëtare. Kryetari i opozitës ka folur mbrëmë me tone të ashpra ndaj kreut të qeverisë në çadrën e qëndresës qytetare. Ai e ka bërë të qartë se nuk do të ketë asnjë tërheqje nga kauza e zgjedhjeve të lira përmes një qeverie teknike dhe se dialogu do të nisë dhe përfundojë me qeverinë teknike.
“E di që në ditë të veçanta siç ishte dita e djeshme, pyesni veten se mos tërhiqet apo dorëzohet Lulzim Basha. Jua them dhe më besoni se kjo nuk është beteja jonë e parë, nuk është as beteja jonë e dytë. E mbani mend dekriminalizimin? E mbani mend Reformën në Drejtësi? Ju jap fjalën, nuk tërhiqem, do jem me ju deri në fitore! Kjo betejë nuk bëhet për të bërë Lulzim Bashën kryeministër, kjo betejë nuk bëhet për pushtetin tim dhe as për pushtetin e Partisë Demokratike, por për më të shenjtin pushtet, pushtetin e qytetarëve për të zgjedhur me votë të lirë dhe të ndershme këdo ata dëshirojnë të zgjedhin”, deklaroi Basha.
Kryetari i PD, Basha iu përgjigj dje nga sheshi i lirisë deklaratës së Ramës se, ai ishte i gatshëm për t’u ulur në bisedime me opozitën, duke deklaruar se ai dhe opozita janë të gatshme të ulen në tryezë me mazhorancën vetëm për të dialoguar mbi krijimin e një qeverie teknike që do të garantojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. “Nuk jemi mbledhur këtu për pushtetin e askujt, nuk jemi mbledhur këtu për të negociuar e për të bërë pazare me pushtetin e inkriminuar të republikës së vjetër. Më 18 shkurt qytetarët e mbledhur në bashkimin më të madh popullor morën një vendim dhe kjo lëvizje e përditshme dhe e përnatshme është monumenti i këtij vendimi. Vendimi është: nuk ka zgjedhje me Edi Ramën dhe qeverinë e tij të krimit dhe korrupsionit e drogës. Nuk ka bisedime, nuk ka negociata, ka vetëm dialog për të përcaktuar largimin e tyre dhe ardhjen e një qeverie teknike, teknike që padyshim kërkon mbështetje dhe vullnet të gjërë politik. Por, do të jetë qeveri teknike, nuk do të negociojmë futjen tonë në qeveri, jo. Ne do të jemi opozita derisa qytetarët shqiptarë me votën e tyre të lirë dhe të ndershme do të vendosin se kush do të qeverisë në këtë vend”, u shpreh Basha. Kreu i PD i bëri thirrje Ramës të heqë dorë nga përpjekjet për lojëra e pazare, ndërsa deklaroi se në rast se nuk do të dakordësohet krijimi i një qeverie teknike, atëherë vala e protestave popullore do të sjellë fundin e qeverisë Rama. “Por harroje se do të bësh zgjedhje me ministrin tënd të Brendshëm që njihet botërisht si mbrojtës dhe garantues i drogës dhe i krimit. Harroje, se do të bësh zgjedhje me zotërinë tënde që gdhihesh dhe ngrysesh me narkotrafikantë e kriminelë sa në zyrë, sa në restorante, sa në hotele e sa në vrimat ku futesh. Harroje se do të kesh zgjedhje me kriminelët kryetarë bashkish, me kriminelët në Parlament. Kjo republikë e vjetër që sot ekziston vetëm si fasadë do të shembet me çdo kusht e me çdo çmim. Hapi i parë është qeveria teknike dhe padyshim në qoftë se je i gatshëm të dëgjosh zërin e qytetarëve të t’u, ti duhet të kontribuosh një orë e më parë për t’i lënë vendin qeverisë teknike. Përndryshe, vala popullore do të rrethojë, vala popullore do të rrëzojë. Jemi të vendosur, jemi të përgjegjshëm, por jemi të vendosur, lëri lojërat! Lojërat nuk të shpëtojnë”. “A ka shqiptarë ta besojë se ti qenke i interesuar për vetingun dhe drejtësinë e vërtetë, kur ke në kabinetin tënd ministra që e kanë vendin para drejtësisë për aferat e tmerrshme korruptive, për vjedhjet dhe megavjedhjet që u kanë bërë shqiptarëve dhe për krime, siç janë vjedhjet në shëndetësi të kryehajdutit me çizme Ilir Beqaj, bashkë me ty? E dinë shqiptarët që sot shëndetësia e famshme falas shpenzon për çdo shqiptar vetëm 250 dollarë për frymë në vit. Unë dua të falënderoj sot në këtë ditë të 15-të të kësaj maratone të lirisë ata qindra-mijëra qytetarë shqiptarë, gjithsecilin prej jush që ndodhet sot në këtë shesh të lirisë dhe qindra-mijëra të tjerë që kanë qenë këtu ditë e natë për kauzën e madhe të lirisë, demokracisë së vërtetë dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Këtu jemi mbledhur për të hedhur themelet e Republikës së Re dhe kjo vjen përmes një transformimi gjigant, një transformimi të thellë, një transformimi të jashtëzakonshëm të vlerave mbi të cilat ngrihet republika e re. Këtu jemi mbledhur për të konfirmuar mbështetjen tonë totale për zgjedhje të lira dhe të ndershme si themeli i Republikës së Re. Për konkurencën e lirë dhe të ndershme midis njerëzve, midis profesioneve, midis subjekteve në treg dhe midis subjekteve politike si themeli i Republikës së Re evropiane, perëndimore dhe euroatlantike”, tha kreu i PD.
Vettingu, kusht për hapjen e Nagociatave? Basha: Broçkulla
Vendosjen e procesit të vetingut si kusht për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, kreu i PD, Basha e ka cilësuar dje si të pakuptimtë dhe një propozim të pavend. “E gjithë bota e dëgjoi këtë mesazh tani po na thonë bëjeni vetingun se do të hapim negociatat. Kësaj në shqip i themi broçkulla, në anglisht ka një fjalë, bullshit. Broçkullat t’i mbajnë për vete, koha kur shqiptarëve u jepnin bar dhe gënjeshtra kanë mbaruar një herë e mirë. Këta janë shqiptarët sot, këta janë shqiptarët e mi, këta janë europianët e mi; mbajini broçkullat për vete. Lërini lojërat politike, lërini keqpërdorimet dhe gënjeshtrat me Europën që mezi priskan të hapë dyert me vetingun. Europa i ka vënë kushtet dhe kushti i kushteve është demokracia. S’ka drejtësi pa demokraci. Nuk ka veting pa zgjedhje të lira dhe të ndershme, nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme me Edi Ramën, me krimin në atë zyrë. Qeveri teknike, zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe veting. Kjo është rruga dhe e vetmja rrugë, thirri mendjes, hape rrugën, ose përndryshe populli do ta hapë me fuqinë e bashkimit të pathyeshëm”, u shpreh Basha. Duke iu drejtuar Ramës, kreu i PD theksoi se, “Nëse e do vetingun hap rrugën për qeveri teknike dhe do të ketë veting të vërtetë me prokurorë dhe gjyqtarë të pakapur që do të nisin menjëherë investigimet për korrupsionin, krimin dhe politikën e lidhur me të. Veting që të mbrosh Ilir Beqën, veting që të mbrosh Sajmir Tahirin, veting që të mbrosh Damian Gjiknurin, veting që të mbrosh Arben Ahmetajn, veting që të mbrosh veten tënde dhe bandat me të cilat rrethohesh, nuk ke për të pasur kurrë. Zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe drejtësi e pakapur shkojnë bashkë. Kush ju thotë se mund të ketë drejtësi të pastër, ndërkohë që kriminelët vazhdojnë të jenë në parlament, bashki dhe kërcënojnë zgjedhjet me krimin e drogën e tyre, ju mashtron. Por ju e dini këtë. Ju e dini fare mirë. Erdhën këtu personalitetet evropiane dhe u treguan qartë shqiptarëve se pa zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa luftë kundër krimit, pa luftë kundër drogës, pa luftë kundër korrupsionit dhe pa drejtësi të vërtetë e të pakapur, dyert e Europës nuk mund të hapen për Shqipërinë”.
Arben Shahini