Skandali i CEZ, Prokuroria nis procedimin për Alma Hickën

Prokuroria e Tiranës, ka regjistruar procedimin penal ndaj Avokaturës së Përgjithshme të Shtetit Alma Hicka, për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe “konflikt interesi”. Sipas burimeve nga organi i akuzës, hetimi ka nisur pas kallëzimit të Partisë Demokratike ndaj saj, pasi nuk ka pranuar të dëshmojë në komisionin parlamentar të ngritur nga opozita për marrëveshjen mes Ministrisë së Energjetikës me kompaninë çeke, CEZ Shpërndarje.
Po ashtu, Hicka do të hetohet edhe për konflikt interesi. Bashkëshorti i Avokates së Shtetit Alma Hicka, e cila ka nënshkruar marrëveshjen me CEZ, ku i falen 600 milionë euro, ka përfaqësuar CEZ si avokat në disa gjyqe të zhvilluara në Tiranë, duke shënuar një superskandal lidhur me marrëveshjen që bëri qeveria socialiste me kompaninë çeke.
Fakti doli në dritë nga komisioni hetimor i drejtuar nga Edmond Spaho, pasi Hicka ishte shprehur se nuk njihte klientët e të shoqit. Pas përpjekjeve për të mos u përgjigjur para Komisionit hetimor parlamentar me pretekstin se do të mbronte sekretin profesional në lidhje me ‘klientin e saj’ që në këtë rast është shteti shqiptar, Hicka ka fshehur një të vërtetë të madhe. Ajo ka nënshkruar një marrëveshje me klientët e bashkëshortit të saj, Envi Hicka, i cili rezulton të ketë përfaqësuar CEZ Shpërndarje ku aksioner kryesor ishte CEZ me 76% në çështjet me tatimet dhe jo vetëm, por edhe në projektin që kishte ndërmarrë kompania për lidhjen e kontratave, të gjetura më pas nga ERE si abuzive, me kompani të tjera për mbledhjen e borxhit, sikurse rasti DIA.
Sipas kallëzimit të PD, Hicka jo vetëm po pengon hetimin parlamentar të çështjes CEZ, por ajo është kapur disa herë edhe në konflikt interesi, duke përfituar me bashkëshortin e saj në disa raste, në dëm të shtetit. Avokati i Përgjithshëm i Shtetit, Alma Hicka, refuzoi të jepte dëshminë e saj në Komisionin hetimor për aferën e CEZ, ndërsa ka kryer veprime të kundërligjshme dhe kriminale, duke paraqitur kallëzim të rremë përpara Policisë së Shtetit, duke kërkuar pa asnjë bazë ligjore shkarkimin e kryetarit të Komisionit hetimor për CEZ, Edmond Spaho. Ajo ka shpërdorur detyrën e saj, duke shfrytëzuar funksionin publik për kryerjen e veprimeve të paligjshme që cenojnë jo vetëm interesat e Spahos, por mbi të gjitha interesat e shtetit për shkak të përdorimit të institucionit për qëllime tërësisht personale dhe të paligjshme.
Nga ana tjetër, sipas argumenteve të parashtruara nga PD, Hicka ushtron detyrën e Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit në kushtet e konfliktit të hapur të interesit, me pasoja të rënda për interesin e shtetit shqiptar, ku kërkohet nga organi i Prokurorisë verifikimi i të dhënave që tregojnë se bashkëshortët Elvi dhe Alma Hicka, janë palë në mbrojtje të interesave “të kundërt”.
PD citon gjithashtu se, në media janë publikuar dokumente që tregojnë se avokati Elvi Hicka (bashkëshort i Alma Hickës), është ortak në një studio ligjore dhe përfaqëson çështje për interesa të klientëve privatë kundër shtetit shqiptar. Bashkëshortja e tij (Avokatja e Përgjithshme e Shtetit) përpiqet të “mbrojë” interesat e shtetit shqiptar, në çështje me palë private të mbrojtura nga bashkëshorti i saj avokat apo studioja ligjore ku ai është aksioner.
“Me anë të këtij kallëzimi që ju paraqesim, marrim përsipër të bëhemi përçues të zërit të atyre qytetarëve të ndershëm të këtij vendi, të cilët besojnë se vetëm zbatimi i ligjit do ta çojë drejt përsosjes shoqërinë tonë. Të atyre qytetarëve, të cilët besojnë se ligji është një dhe i barabartë për të gjithë. Ne besojmë se përpara ligjit jemi të gjithë njësoj, si Kryeministri ashtu dhe çdo qytetar i thjeshtë. Përfundimisht, nga sa është analizuar më sipër rezulton se janë ezauruar të gjitha elementet e veprave penale konkrete të përcaktuara në objektin e këtij kallëzimi penal”, thuhet në kallëzimin e PD. Për këtë arsye, PD ka kërkuar nga ana e organit të Prokurorisë “regjistrimin dhe fillimin e procedimit penal ndaj personit të kallëzuar-Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit, Alma Hicka, si dhe kryerjen e të gjitha veprimeve hetimore të nevojshme për sqarimin më të saktë e më të plotë të rrethanave të parashtruara”.

R.POLISI

Artikulli paraprakSkandal, ambasadorja Filloreta në SHBA bën zëdhënësen e të rrjedhurit Zef Brozi
Artikulli tjetërNdragheta te plehrat e Sharrës! Përgjimet e Antimafias italiane