Rama kishte kërkuar shkarkimin e kryetares të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Shehi ditën e djeshme gjatë një mbledhjeje të Komisionit të Ekonomisë. Mbledhja ka dështuar dhe Shehi nuk është mundur të shkarkohet pasi socialistët kanë mbetur në minorancë në këtë komision me largimin e deputetëve të LSI.
Përse u kërkua shkarkimi i Shehit
Kryetari i opozitës, Basha paralajmëroi mbrëmjen e së dielës arsyet se përse kërkohej shkarkimi. “Kjo ndodh për disa arsye: së pari, qartësisht sepse është një person që nuk e kontrollon dot politikisht, pra për hakmarrje politike. Është padyshim një nga personat më të kualifikuar, në Ballkan edhe në Evropë për punën e kryer, e vetmja e votuar dy herë me 120 vota në Kuvendin e Shqipërisë me dy kualifikime amerikane dhe britanike në fushën e kualistikës, pra në parashikimin e dinamikave të veprimeve të sigurimeve. Është bashkëshortja e një prej krerëve të koalicionit tonë, Dashamir Shehi”, tha Basha.
Kryetari i opozitës ka shkuar më tej duke bërë publike një skemë të pastrimit të parave që Rama po përgatit dhe për këtë i duhet të kapë dhe të vendosë në krye të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare një njeri të besuar të tij. “Po pas hakmarrjes politike fshihet diçka më e madhe. Edi Rama pasi i hapi dyert krimit të organizuar dhe parave të drogës, ka marrë në dorë një operacion masiv kombëtar dhe ndërkombëtar për pastrimin e parave. Për këto arsye, qartësisht ka përfshirë familjarët e tij në një bankë të dyshuar për transaksione të pastrimit të parave, është diçka që e kanë raportuar mediat dhe për bashkëshorten e tij. Edhe pas kapjes së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare qëndrojnë po kështu familjarët e Edi Ramës”, tha Basha.
Kreu i opozitës ka paralajmëruar se përpjekja do të jetë që të vendosen dhe gjoba të majme ndaj kompanive të sigurimeve në Shqipëri në prag të zgjedhjeve të ardhshme. “Është e qartë pra, që shteti mafioz kriminal dhe narkotrafikant i Edi Ramës, nuk ndalet para asgjëje për të asgjësuar çdo institucion të pavarur. Asnjë institucion i pavarur nuk ka mbetur pa u asgjësuar nga krimi dhe droga dhe nga shteti narkotrafikant i Edi Ramës. Ka rënë Parlamenti, është një Parlament i krimit, ligji për dekriminalizimin nuk zbatohet. Kanë rënë bashkitë e vendit për të njëjtat arsye. Ka rënë çdo institucion tjetër i vendit. Ka rënë shtylla e katërt, media e cila ndodhet në një presion të jashtëzakonshëm pikërisht sepse duhet t’i shërbejë shtetit të krimit, shtetit të drogës, të narkotrafikut dhe tani që kishte mbetur një institucion i pakapur që ishte Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare”, tha Basha.
Lëvizjet e fundit të qeverisë në kërkim të pastrimit të parave dhe kapja e institucioneve mbikëqyrëse është një tregues tjetër për kryetarin e opozitës që protestat dhe qëndresa qytetare të vijojë dhe të bëhet edhe më e fortë gjatë ditëve të ardhshme.
“Në këtë realitet, vendimi i qytetarëve shqiptarë, qëndresa këtu, është vendimi më i drejtë. Institucioni i vetëm që është në këmbë, është ai i që ka shkatërruar çdo institucion tjetër të Republikës, është qeveria e krimit, e drogës dhe e parave të pista dhe e industrisë së larjes së parave me në krye një njeri që solli kriminelët në politikë, mbuloi Shqipërinë me drogë, që i dha mbështetje kriminelëve, siguroi mosndjekjen e tyre penale, i nxori bandat dhe kriminelët që ishin ndjekur dhe ishin dënuar në burgje, dhe ky njeri pra, tani kërkon që ta kthejë këtë vend dhe në një Republikë të pastrimit të parave, të parave të pista të politikës, të parave të pista të krimit. Ndaj edhe largimi i këtij institucioni është zgjidhja e vetme.
Qeveria e narkotrafikut, e drogës dhe e bandave duhet të largohet dhe do të largohet me çdo kusht.
Ky shesh i qëndresës qytetare është prova se shqiptarët nuk do të pranojnë kurrë që institucioni i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të jetë viktima e radhës së qeverisë së krimit, drogës, bandave dhe pastrimit të parave. Ndaj, alternativa e vetme, e vetme e përsëris, është largimi i Edi Ramës. Republika e vjetër do të marrë fund me largimin e tutorit të krimit, të drogës dhe të parave të pista dhe kjo do t’i hapë rrugën një republike të re për qytetarët dhe të qytetarëve shqiptarë”, tha Basha.