Thomas Strakosha: Dua të shkruaj historinë time

11 ndeshje titullar dhe vetëm 5 gola të pënuar. Ky është momenti i artë i Thomas Strakoshës, portierit shqiptar të Lazios që po shfrytëzon në maksimum asistin e Marchettit, i cili vazhdon të qëndrojë në infermieri. 21-vjeçari shqiptar vjen pas një jave fantastike pa asnjë gol të pësuar në dy ndeshjet e fundit, fillimisht në derbi me Romën dhe të dielën në mbrëmje në transfertën e Bolognas, duke fituar pikë në hierarkinë e Lazios, por duke afruar edhe më shumë tifozët bardhekaltër, të cilët kërkojnë aktivizimin e tij si titullar. Në një intervistë dhënë për emisionin “Zona Gol”, portieri kuqezi ndalet fillimisht te ecuria e skuadrës së tij, por rrëfen edhe pengun e këtij sezoni. “Jemi të kënaqur me rezultatet e ndeshjeve të fundit. Luajtëm më mirë se Bologna dhe e merituam fitoren. Nuk duhej ta pësoja atë gol me Milanin në fund dhe ishte një moment i dhembshëm”, tha Strakosha.
Mbi shpatullat e tij mban një mbiemër me peshë për futbollin shqiptar, por talenti i familjes Strakosha mendon se ka ardhur koha që të shkruajë historinë e tij. “Jam krenar që kam mbiemrin Strakosha, por tani jam Thomas dhe kam rastin të bëj mirë vetë. Babi nuk donte të bëhesha portier dhe unë e ndiqja kur isha i vogël dhe më pëlqente shumë. Kam pasur idhull gjithmonë babin për personalitetin dhe zemrën që tregonte në fushë. Buffon dhe Neuer janë më të mirët në botë”, tha ai.
Më 24 mars ka shansin e artë të debutojë në fushë me fanellën e kombëtares shqiptare kundër Italisë në Palermo, por Strakosha përgjigjet me diplomaci kur pyetet nëse e shikon veten titullar. “Unë do të stërvitem fort të jem gati për kombëtaren dhe e di trajneri kush do të luajë. Jam krenar që jam pjesë e kombëtares, luaj apo nuk luaj. Kemi folur shpesh me Berishën dhe ai më ka uruar. Etriti është shumë portier i mirë dhe e meriton momentin pozitiv që po kalon”, përfundoi Strakosha.

Artikulli paraprakSmajlaj duartrokitet në Beograd
Artikulli tjetërKujdes PSG!